Balluku: Në 1 janar 2025 synojmë të ulim çmimin e energjisë elektrike
Qeveria ”Rama 3”, bën me dije se nga 1 janar i vitit 2025 do të ulet çmimi i energjisë elektrike për qytetarët. Zv/kryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte në zyrat e OSHEE, ku tashmë ka nisur nga puna shërbimi CALL CENTER, i cili është 24 orë në dispozicion të qytetarëve. Prej ditësh në takimet me pensionistët edhe vetë Kryeministri Edi Rama është shprehur se po vlerësohet ulja e çmimit të energjisë elektrike.
”Furrat e bukës në Shqipëri subvencionohen nga qeveria shqiptare përmes çmimit më të ulët të energjisë. Të gjitha ato njësi që operojnë vetëm si furra buke paguajnë 7,6 lekë për kilovat/orë, që është çmimi më i ulët që aplikojmë në OSHEE.
Pas një diskutimi publik shumë të gjatë, na kanë kërkuar që të ketë diferencim mes atyre që pjekin vetëm bukë, atyre që pjekin bukë, por kanë edhe pastiçeri, dhe atyre që kanë pjekjen e bukës, pastiçerinë dhe bar-kafenë. Pas diskutimit të gjerë, ramë dakord për këtë lloj skeme: 7,6 lekë kilovat/orë vetëm për furrat e bukës. Sa i përket ëmbëltoreve i kemi faturuar me 9,5 lekë për kilovat/orë, ndërsa për ato që kanë edhe bar-kafe, 12 lekë për kilovat/orë”, deklaroi Balluku. Zëvendëskryeministrja theksoi gjithashtu se çmimi i bukës nuk është rritur: “Ishte vetëm një dezinformim”.