“Qeveria shqiptare ndër më të korruptuarat”, Tabaku: Raporti i TI përmend tre ministra të akuzuar, ekonomia shqiptare në rënie të lirë
Ish-deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, e ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” deklaroi se qeveria shqiptare është ndër më të korruptuarat.
Tabaku theksoi se ky përfundim nxirret nga Transparency International, duke shtuar se në këtë raport përmenden edhe tre ministra të akuzuar.
“Raporti i Transparency International shprehet se qeveria shqiiptare është ndër më të korruptuarat në Ballkanin Perëndimor. Ky raport thoshte se korrupsioni ka arritur në nivelin e kapjes së shtetit. Raporti i TI përmend edhe ligjin e lojërave të fatit. Kjo do të thotë se edhe parlamenti ka dalë jashtë funksionit. Kjo është e vërtetuar tashmë nga TI.
Përmendej Tahiri, përmendej Vangjush Dako, që nuk ka qenë ministër, por ka pasur aq pushtet sa mund ta quash një të tillë, flitej për përfshirjen e tij në grupet kriminale për çështjen e votave, si dhe Gjiknuri për CEZ. Dy buxhete të qeverisë Rama janë vjedhur, kjo shkakton ikje masive dhe imazhi në aspektin ndërkombëtar është tepër i rënë. Kurrë shteti nuk është kapur në këto nivele dhe kanë arrogancë e nuk përgjigjen. Lufta ndaj korrupsionit kërkohet nga BE”, tha Tabaku.
Jorida Tabaku theksoi se ekonomia shqiptare aktualisht është në rënie të lirë, ndërsa shtoi se ka të dhëna se janë mbyllur deri 50 biznese në një ditë.
“Tarifat lokale janë rritur shumë e sidomos në Tiranë. Bizneset e vogla kanë vuajtur rritjen e energjisë elektrike, rritjen e taksës së qarkullimit. Fermerët kanë vuajtur nga shumë kosto. Biznesi i vogël ka vuajtur me TVSH. Janë mbyllur rreth 50 biznese në ditë. Ka një rënie të besimit në ekonomi. Ekonomia shqiptare është në rënie të lirë. Raportet ndërkombëtare e nxjerrin ekonominë shqiptare me rënie 7.5 përqind.
Këta flasin duke mos ditur problemet e shqiptarëve, sepse jetojnë në tjetër realitet. PPP çoi në pasoja të parikuperueshme për ekonominë shqiptare. Familjet shqiptare sot janë në krizë, sepse paketa për ekonominë është e ulët. Ne kemi pasur dy gjysmë paketa dhe janë shumë pak. As turizmi, as bujqësia nuk u mbështetën. Varfëria në vend është rritur”, u shpreh Tabaku.
Po ashtu, Tabaku nënvizoi se bizneset e vogla dhe të mesme janë prekur masivisht nga pandemia dhe politikat e gabuara të qeverisë. Ajo shtoi se dhënia e parave publike nga qeveria për PPP-të është një formë kriminale e ekonomisë.
“Bizneset e vogla dhe të mesme janë prekur masivisht. Edhe ata pak biznese që operojnë sot janë me humbje dhe ata shpresojnë për rikuperim të ekonomisë. Por, ekonomia nuk do të rikuperohet, sepse kjo qeveri nuk ka asnjë prioritet. Qeveria çon para në PPP, e kjo është sjellje kriminale. Bizneset e vogla po marrin subvencione nga qeveritë, vetëm që të mbajnë njerëzit në punë. Kemi pasur paketën më të ulët në rajon. Mbi 50 përqind e ekonomisë sot është në të zezë, për shkak të rritjes së taksave”, vlerësoi Tabaku.