Rama: 21 Janari i mbyllur në sëndukët e maskarenjve! S’ka vajtur ende drejtësia e re te prokuroria e Tiranës
Në Kongresin e PS-së shumë folën për 21 Janarin, çështje që e prekur edhe kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë e cilësoi si një çështje që ka mbetur peng i drejtësisë së vjetër. Drejtësia e re tha Rama, nuk ka vajtur ende te prokuroria e Tiranës.
“21 Janari është peng i drejtësisë së vjetër. Dy kilometra janë. S’ka vajtur ende drejtësia e re tek prokuroria e Tiranës. 21 Janari është i mbyllur në ato sëndukët e gjysheve, jo gjysheve mos tu biem në qafë. Në sëndukët e maskarenjve të Shqipërisë që nga 1912 që penguan sabotuan dhe rrëzuan këdo që tentoi t’i bënte gjërat pak më ndryshe.
Imagjinoni prokurori të tjera gjykata të tjera se në çfarë gjendje janë por ne duhet të mendojmë seriozisht se çfarë duhet të bëjmë ne që drejtësia të rrisë profesionalizmin e saj. Drejtësia Europiane është në çdo rast garantë e shtetit ligjor e lirive dhe të drejtave të çdo individi të barazisë reale të të gjithë individëve para ligjit përfshirë dhe vetë prokurorët dhe gjykatësit që kurrsesi nuk duhet të bëhen një pushtet i pakontrolluar”, tha Rama.