Rama: BE nuk pa përtej kufijve të vetes, e la fatin e vaksinimit në atë që u quajt marrëveshje bilaterale
Në seancën e kësaj të hëne në Kuvend, kryeministri Edi Rama tha se Bashkimi Europian nuk pa përtej kufijve të vetes, dhe e la fatin e vaksinimit të njerëzve në rajon, në atë që sipas Ramës u quajt marrëveshje bilaterale.
”Besoj e keni lexuar deklaratën e fundit të OBSH-së që ka folur për katastrofën e mundshme morale për shkak të mosgarantimit të barazisë së aksesit të vaksinës nga të gjithë. Kjo është një pabarazi dhe për një vend si ne nuk është e panjohur. Për fat të keq në konceptin e planifikimit të marrjes së aksesit përmes Pfizer, BE-ja nuk pa përtej kufijve të vetvetes dhe e la fatin e vaksinimit të njerëzve në rajonin tonë në atë që u quajt marrëveshje bilaterale”,-tha Rama.
Për Pfizer, Rama tha se është vaksinë e shtrenjtë. ”Sikundër e kemi paralajmëruar sot do të votohet marrëveshja me Pfizer për sjelljen e masës së parë të vaksinave. Kemi dakordësuar për 500 mijë doza dhe në kontratën e nënshkruar pak më parë pas një negociate jo të lehtë do thosha, është marrë parasysh edhe nevoja potenciale e mëtejshme. Pse e them këtë? Sepse qëllimi ynë ka qenë të sigurojmë fillimisht një sasi vaksinash për një pjesë të procesit të vaksinimit, duke pasur parasysh raportin e sasisë me kalendarin e planit kombëtar të vaksinimit dhe duke mos harruar se ndërkohë janë një sërë vaksinash të tjera, qoftë ato që tanimë presin me ditë aprovimin qoftë vaksina AstraZenecha e cila është aprovuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe pret aprovimin nga BE, qoftë edhe vaksinat që janë në dalje e sipër. Është e rëndësishme të kihet kjo parasysh, do të ishte e gabuar dhe e nxituar të kontratonim të gjithë sasinë që na duhet, duke pasur parasysh edhe çmimin që është fiks, edhe procesin e vaksinimit që është me dy doza, i përshkallëzuar në kohë dhe me një sërë element sigurie që i kemi garantuar”.