Rama: Brenda vitit të ardhshëm do të keni asistentin digjital me zë, i ngjashëm me “Siri-n”
Kryeministri Edi Rama tha se qytetari do të marrë përgjigje online për pyetjet që ka rreth shërbimeve të ndryshme. Brenda vitit të ardhshëm, në e-albania do të jetë asistenti digjital (shërbimi me zë) i ngjashëm me Siri-n, një shërbim që ofrohet në telefona celularë për të bërë kërkime në internet apo për shërbime të tjera.
“Ndërkohë që ne kemi filluar projektin tjetër për të pasur brenda vitit të ardhshëm asistentin me zë siç është Siri, kështu do të jetë asistenti digjital i çdo sistemi. Asistentin e pyesni me zë dhe nga shtëpia dhe do ju përgjigjet për të gjithë atë gamë që lidhet me dokumente. Mbetet i rëndësishëm njeriu, roli juaj dhe i të gjithë atyre që janë deri më 1 maj në sportele.
Nuk do të ketë më zyra më 1 maj, por do të mbyllen për të hyrë njerëz nga jashtë brenda, por brenda do të vijojë puna për shërbimin ndaj qytetarëve që i gjithë procesi i aplikimeve të bëhet me sukses dhe askush të mos e pengojë. Unë dua të them që me këtë sistem sot, kemi mundësi ta çojmë në një nivel tjetër marrëdhënien mes qytetarëve dhe shteteve dhe kemi mundësi që ta bëjmë Shqipërinë vendin ku fjala shërbim të marrë kuptimin e vet më të plotë dhe më kuptimplotë. Sistemi është i gjithi gati“, tha Rama.