Rama: Bujqësia nuk është vetëm çështje parash
Të investosh në bujqësi nuk do të thotë se mund të kesh vetëm para, por duhen edhe dije. Kryeministri EdiRama e deklaroi këtë gjatë një takimi me investitorë në Rinas, ku u bëri thirrje atyre që të investojnë në këtë sektor, duke shtuar se bujqësia ka rritje të qëndrueshme ekonomike.
“Bujqësia nuk është thjesht çështje parash, por çështje dijesh dhe mekanizmash. Jo më kot, kemi ftuar këtu disa që kanë filluar ta bëjnë këtë gjë. Njerëz që janë bërë të pasur me biznese të tjera dhe kanë kthyer sytë nga toka. Sigurisht nuk do thonë të gjithë sesa fitojnë, pasi ne i kemi shpallur luftë informalitetit”, theksoi ai.
Sipas kreut të qeverisë, bankat nuk kanë probleme me kreditë e fshatit, ndaj kreditë jepen më kollaj në këtë drejtim.
“Ne kemi qenë të vendosur ta ndryshojmë qasjen, pasi duam ta shohim bujqësinë si një territor ku mund të ndërtohet një nga sferat më të rëndësishme sociale. Ka një fakt që është domethënës. Që në kushtet e sotme, një nga problemet kryesore që ne kemi për sa i përket financave janë kreditë e këqija. Ato shkuan deri në nivelin e 25 për qind, një kërcënim real. Ne kemi bërë përpjekje bashkë me BSH dhe kemi sjell një ulje të arsyeshme, edhe pse jo të konsiderueshme duke e çuar në 20 për qind. Fakti interesant është se një pjesë e kredive të këqija, nuk figurojnë kreditë e dhëna për fshatin. Fshati mund të duket pjesa më gri dhe e pakontrollueshme. Por e vërteta është se asnjëherë bankat nuk kanë pasur probleme me kreditë që kanë dhënë për fshatin”, tha Rama.
Kreu i Qeverisë theksoi rëndësinë e investimeve në sektorin e bujqësisë duke u shprehur se “ajo që mund të investoni është me rëndësi. Janë shumë më pak investimet sesa “turn over” që përfaqësoni ju këtu. Fragmentimi i tokës nuk është problem, qasja e dështuar për shumë vite për të bashkuar tokën dhe për të krijuar struktura të imponuara nga lart ka qenë e panevojshme dhe na ka humbur shumë kohë. Vetëm këtë vit ne kemi 100 % rritje të eksporteve të perimeve dhe zarzavateve”.
KOHA JONË SONDAZH

