Rama: Për herë të parë që nga viti 1991 nuk ka më deklarata nga ambasada e SHBA për reformën në drejtësi!

Kryeministri Edi Rama thotë se shumë persona po arrestohen pa gjyq, për shkak të frikës që gjykatësit kanë nga prokurorët. Komentet i bëri në një takim me asambletë socialiste të njësive Dajt, Zall-Herr, Zall-Bastar, Shëngjergj, Petrelë, Farkë, Baldushk, Krrabë, Bërzhitë dhe Lagjia 12. Rama hodhi akuza edhe ndaj Sali Berishës, të cilin e quajti ”buf kënete”, që sipas tij po kërkon të fusë duart në sistemin e drejtësisë dhe të shkrijë SPAK, gjë që sipas tij nuk do ia arrijë.
”Për herë të parë që nga viti 1991 nuk ka më deklarata nga ambasada e SHBA për reformën në drejtësi. Kush e mban tani SPAK-un dhe GJKKO-në larg duarve të bufit? E dëgjuat që tha do e shkrijë SPAK-un? Noc rrokun në 11 maj. Tjetër gjë është që të mbjellësh pemë, tjetër gjë është që të japësh drejtësi.
Ti mund të mbjellësh pemë, mund t’i mbjellësh edhe në korrik, pavarësisht se duhet të mbillen në dimër, por nuk merr në qafë njeri. Kjo drejtësia e re që ka 5 vjet, t’i kërkosh që të mos bëjë gabime është njësoj si t’i thuash një fëmije ”fol dhe shkruaj 3 gjuhë të huaja pa mësuar asnjë abetare”.
Nuk ndodh. Është e rëndë, por ne do i qëndrojmë kësaj deri në fund, me çdo çmim. Ne duke mos e vënë në diskutim pavarësinë dhe duke mos lejuar kënd që ta cënojë pavarësinë dhe duke e prezantuar bufin e kënetës me noc rrokun edhe për këtë çështje, do flasim hapur për gjërat që nuk shkojnë. Nuk e kemi bërë 5 vite, sepse nuk do kishte pasur dot drejtësi të pavarur. Por burgosja pa gjyq është e paligjshme. Kanë frikë nga prokurori gjykatësit dhe bien dakord që të fusin njerëz pa gjyq në burg, këta janë problem.
Nuk them unë që s’ka probleme, por duhet të jesh totalisht i verbër, jo nga ata që Zoti i ka privuar nga sytë, por i verbër nga ata që Zoti i ka dhënë dy sy dhe i ka bllokuar trurin e vogël. Prandaj sytë nuk funksionojnë. Me hundën zhytur në kënetë”,-tha Rama.