Rama dëshmon për incerenatorët, Basha: E vërteta po del në shesh. Kemi një bandë në krye të qeverisë
Këtë të mërkurë kryetari i PD Lulzim Basha prezantoi kandidatin për kryetar bashkie për bashkinë Dibër, ku tha se Komisioni Hetimor për Incerenatorët i ngritur me kërkesë të PD, po vërteton se afera e incineratorëve është një nga aferat më korruptive në vend. Prej më shumë se 6 orësh kryeministri Edi Rama po jep dëshminë para Komisionit, për të cilin Basha thotë se ka ngritur një bandë në krye të qeverisë.
”E vërteta vonon por nuk harron, njësoj si drejtësia. Ndaj jam i bindur se në këtë dritë të së vërtetës që po djeg gënjeshtrat dhe mashtrimet nuk do ta ketë të lehtë shkaktari i varfërisë i atij që para 8 vitesh erdhi në pushtet me premtime të jashtëzakonshme, por sot është një histori, kryeministri i një qeverie më hajdute.
Siç po vërteton komisioni i inceneratorëve, por që është vetëm një nga aferat korruptive që janë marrë paratë e qytetarëve shqiptarëve për të pasuruar një grusht njerëzish.
Sot e vërteta po del në shesh, jo vetëm sepse dielli lindi, por ishte PD dhe demokratet, të cilat e bënë të mundur daljen në pah të së vërtetës. Drejtësia do të fillojë të veprojë, sepse shqiptarët nuk e kanë hak këtë keqqeverisje. Nuk vjen prej tyre, vjen prej një bande në krye të qeverisë”.