Rama dhe Mark Rutte vizitojnë Piramidën: Vitin tjetër organizojmë javën holandeze
Kryeministri Edi Rama dhe homologu nga Holanda Mark Rutte, pas konferencës për shtyp, së bashku vizituan kantierin e Piramidës ku po ndërtohet qendra e teknologjisë digjitale më e madhe në rajon në bashkëpunim me studion e famshme holandeze MVRDV.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, tregoi lidhur me historikun e Piramidës ndër vite, e cila do të përshtatë arkitekturën e saj të veçantë me funksionin e ri.
“Ka nisur fillimisht si mazoleum dhe nga mazoleum u shndërrua në një muze. Edi ia ktheu këtë qytetit, për ta pasur si akademinë më të madhe të kodimit në Ballkan, 12-18 vjeç. E kemi nisur institucionin, me qendrën TUMO që është tek stadiumi, tashmë kemi 1000 fëmijë dhe 1000 që janë në listën e pritjes. Me gjasë ne jemi stacioni më i madh i punës i arkitektëve holandezë në Europë, jashtë Holandës kuptohet”,-u shpreh Veliaj.
Kryeministri Rama tha se vitin tjetër Tirana do të jetë kryeqyteti europian i rinisë, me aktivitete të shumta me të rinj nga vende të ndryshme.
“Vitin tjetër, Tirana është kryeqyteti europian i rinisë dhe po përpiqemi që të flasim dhe i kemi thënë dhe ambasadës, të kemi aktivitet kulturore holandeze, me rininë këtu. Do të përpiqemi të organizojmë javën holandeze. Do të kemi aktivitete të ndryshme, muzikë, të gjitha”.
KOHA JONË SONDAZH

