Rama flet nga Beogradi: ”Open Balkan” prirje drejt së ardhmes. Dorëheqja e Zaevit nuk ndikon
Në një intervistë nga Beogradi, kryeministri Edi Rama është shprehur se dorëheqja e Zoran Zaev, nuk do të ndikojë në nismën e ”Open Balkan”. Për të nisma nuk lidhet me individë, por me rajonin.
Po ashtu u pyet nëse ka ndryshuar qëndrimi i Vuçiç pas deklaratës së tij të famshme në vitin 2015, kur tha se Kosova është shtet i pavarur. Rama tha se s’mund të bëjë komente të kësaj natyre pasi mund të ishin spekulime. Ai tha se rruga e dialogut, është e vetmja rrugë për të gjetur zgjidhje.
“S’është e lehtë, por është e vetmja rrugë, është në interes të popullit shqiptar, në Kosovë dhe Shqipëri, t’i hyjnë kësaj rruge me gatishmëri dhe vullnet për t’ia dalë dhe për të marrë atë që i takon”,-tha për ”Report TV”.
Sa i përket qëndrimit të SHBA që mbështet ”Open Balkan”, duke kërkuar praninë e 6 shteteve, Rama e komentoi duke thënë se këto 6 shtete është mirë të bashkohen. ”Kjo s’do të thotë që ne të mbyllim derë edhe të presim që të tjerët të vijnë, dhe të hapim derën bashkarisht, dera është e hapur, por askush s’është i detyruar”.
A ka marrë një goditje kjo nismë me zhvillimet në Maqedoninë e Veriut, pas dorëheqjes së kryeministri Zoran Zaev, Rama tha se nuk e beson një gjë të tillë. Kryeministri tha se dorëheqja e Zaev pas humbjes në zgjedhjet lokale, nuk ndikon për Maqedoninë e Veriut në nismën ”Open Balkan”.