Rama flet për Alqi Bllakon: Përpara ligjit janë të gjithë të barabartë. S’ka përgjegjësi kolektive në demokraci

Pas mbledhjes së Kryesisë së PS, kryetari dhe kryeministri Edi Rama, tha se deputetët janë të popullit. Po ashtu Rama tha se të gjithë janë të barabartë para ligjit, kur u pyet për deputetin Alqi Bllakon i cili dorëzoi mandatin, pasi SPAK-u kërkon që ta arrestojë për aferën e incerenatorëve.

“Individët janë të vetes dhe përpara ligjit nuk ka deputet, nuk ka ministra, nuk ka politikanë, nuk ka të fortë, nuk ka të privilegjuar, janë të gjithë të barabartë. Në nivel njerëzor, personal jam shumë i keqardhur”, tha Rama për gazetarët para selisë së Partisë Socialiste.

I pyetur nëse ndjen përgjegjësi për vendosjen e Bllakos në listën e deputetëve të PS, Rama tha se nuk ka përgjegjësi kolektive në sistemin demokratik.

”Nuk ka përgjegjësi kolektive dhe zgjedhjet e njerëzve në jetë, zgjedhjet e njerëzve me të cilët vendos të lidhësh jetën, zgjedhjet e njerëzve vendos të bësh një projekt, bazohen në një sërë arsyesh dhe kriteresh, të cilat nuk prezumojnë për askënd se kush zgjedh është përgjegjës nëse i zgjedhuri në një ditë shkel ligjin. Për këtë arsye, gjërat janë krejtësisht të ndara. Në rastin konkret dhe në të gjitha rastet, këtë nuk e caktoj as unë dhe as ju, derisa drejtësia të thotë fjalën e fundit, këta njerëz janë të pafajshëm”.

SHKARKO APP