Rama flet për median gjermane, kërkon hapjen e negociatave për hir të rrezikut rus

Duke shfrytëzuar situatën me dëbimin e diplomatëve rus nga 23 vende të botës, përfshirë edhe dy në Shqipëri, Edi Rama ka folur për hapjen e negociatave, duke e lidhur me rrezikun rus që rrethon Europën.

Në një intervistë për gazetën gjermane “Welt”, kryeministri i Shqipërisë foli për një qeveri anti-NATO apo anti-BE si një mundësi reale, ndërsa kërkoi hapjen e negociatave me Shqipërinë në intervistën e titulluar: ”Paradoks që Shqipëria nuk është në BE”.

”Nuk do ishte mirë që Bashkimi Europian ta linte Ballkanin si një zonë gri, ku mund të futen palët e treta”,-shprehet Rama, duke nënkuptuar aty Rusinë.

“Nuk duhet të harrojmë gjithashtu se ne jemi një vend i NATO-s. por është paradoks që nuk jemi në BE. E kemi parë së fundmi në Malin e Zi, se çfarë mund të bëjë ndikimi rus. Një qeveri anti-NATO apo anti-BE është një mundësi reale,” tha Rama.

Sipas Ramës, Shqipëria i ka plotësuar tashmë të gjitha kërkesat e Bashkimit Europian, përfshi këtu një reformë gjithëpërfshirëse në drejtësi.

“Të jem i sinqertë, unë mendoj se duhet të nisin negociatat, sepse ne kemi përmbushur detyrimet. Më e rëndësishmja ishte reforma në drejtësi, zbatimi i së cilës ishte i vështirë. Ne ndryshuam edhe Kushtetutën, diçka jo e zakonshme” tha Rama.

SHKARKO APP