Rama: Heqja e fashës 300 kw nuk prek pensionistët apo personat me aftësi të kufizuar

Kryeministri Edi Rama premtoi se për këto kategori do të ketë rritje të masës së pensionit apo të ndihmës ekonomike në mënyrë që t’u kompensohet pagesa e energjisë pas heqjes së fashës. Kjo u shpreh nga Kryeministri gjatë një bashkëbisedimi me pensionistë e përfaqësues të PAK, që po mbahet në “Sallën e Hartave” në selinë e Këshillit të Ministrave.

Rama theksoi se masat e ndërmarra nuk janë në kurriz të më të dobëtëve, apo atyre që e paguajnë energjinë, por veprojnë ndaj atyre që e vjedhin atë.

“Këto masa nuk janë në kurriz të fukarenjve, nuk janë në kurriz në më të dobëtëve. Ka një spekulim mbi këtë që kemi nisur, shumë njerëz kërkojnë të justifikojnë vjedhjen me varfërinë. Askush nuk shkon në dyqan të marr bukën e të iki pa paguar, e të thotë skam me se të paguaj. Asnjë pensionit nuk manipulon sahatin apo të bëjë lidhje të jashtëligjshme. Pensionistët janë pagatorët më të rregullt.

Na vijnë nga bizneset dhe shumë të kamur që fshihen pas fashës mbrojtëse. Përgjigja është e qartë dhe shumë shpejt do të jetë fakt konkret në xhepat tuaj. Pensioni i çdo pensionisti kryefamiljar, dhe pagesa për ata ata që marrin ndihmë ekomomike dhe personat me aftësi të kufizuar do të rritet. Asnjëri nuk do të kursejë për të paguar energjinë elektrike.

Kjo reformë nuk prek mbijetesën. Dhe do të garantojmë që ky vend të lajë njollën e madhe të turpit që jeton duke vjedhur energjinë elektrike e duke i hapur vetes gropën”,tha Rama.

Në vijim ai shtoi se vite me radhë kjo situatë është lënë kështu pa marrë masa, duke theksuar se politikanët për vite të tëra kanë preferuar ta mbajnë popullin në gjumë.

“Na duhen tre vjet për t’u marrë me këtë periudhë për t’ia dalë e për të mos ia lënë të tjerëve në dorë”, theksoi Kreu i Qeverisë.

Duke iu referuar heqjes së fashës 300 kilovatëshe, Rama tha se vendi ka qenë para dy alternativave rritjes së çmimit dhe heqjes së fashës prej 300 kilovatësh. Sipas Ramës, kjo fashë ka qenë një farsë e vendosur me idenë që pas meje të bëhet ç’të dojë.

 “Ne kemi një problem të trashëguar që lidhet me ju, njerëzit në nevojë që është fasha e 300 kilovatëve. Por kjo është kthyer në mburojë për ata që vjedhin energjinë.

Ne do të heqim fashën. Kemi qenë para dy alternativave, të heqim fashën ose të rrisim çmimin. Rritja e çmimit ishte shumë e dhimbshme. Heqja e fashës i jep fund një farse, që është luajtur me idenë që pas meje të bëhet ç’të dojë. 300 kliovatëshi u vu si pjesë e kësaj farse. Ne jemi të detyruar të përballemi me problemin.

Dhe të mos përsërisim fajin ndaj jush, duke iu thënë shiko ne do ju mbrojmë e duke iu lënë në rrugë. Po të shikosh edhe shpenzimet e buxheteve këto para nuk janë shpenzuar. Ne po përgatitemi të rrisim pensionet e gjithë pensionisteve që janë kryefamiljarë dhe të rrisim pagën e gjithë personave që jetojnë me ndihmë ekonomike si dhe pagën e personave me aftësi të kufizuar”, tha Rama.

Kryeministri Rama ndërsa i është përgjigjur pyetjes së një personi me aftësi të kufizuar se nëse do të arrestohen debitorët e kësaj kategorie ka theksuar se nuk është vajtur në dyert e pensionistëve, paraplegjikëve apo konsumatorëve, por në derën e bizneseve.

Ai shtoi se nuk janë arrestuar fukarenj, por janë arrestuar njerëz që kanë njësi tregtare apo punonjës të kompanisë, pasi kanë përgjegjësinë më të madhe.

 “Besoj e keni vënë re në këto dy ditë që nuk kanë vajtur në derën e pensionistëve, paraplegjikëve apo konsumatorëve, por në derën e bizneseve. Nuk janë arrestuar fukarenj, por janë arrestuar njerëz që kanë njësi tregtare. Janë arrestuar punonjës të kompanisë, pasi kanë përgjegjësinë më të madhe.

Në vend të garantojnë që kompania të marrë atë që duhet bëjnë lidhje të tjera manipulojnë sahatet në këmbim të lekëve. Pjesën më të madhe të gjëmës e bëjnë atë që kanë jo atë që s’kanë. Nuk jemi në këtë kolaps se një familje e varfër ndez llambën. Ne nuk mund të amnistojmë energjinë elektrike.

 Askush nuk mund ta përfytyrojë të vjedhë energjinë elektrike. Jemi vendi që e vjedhim dhe nuk e kursejmë. Jemi vendi që shumë kush që nuk paguan, ndriçon gjithë oborrin e ndërmarrjes ditë natë. Në vendin më të pasur të Europës, në Gjermani nuk e përfytyrojë të ikin e të lënë dritën ndezur.

Nuk do përdorim atë skemë subvencionimi, por do të rrisim pensionet, ndihmat ekonomike dhe pagat për PAK që askush mos ketë problem të paguajë energjinë”, tha Rama.

SHKARKO APP