Rama konfirmon: Do jem deputet i Vlorës edhe në 2017. Edhe Obamën e kritikojnë
“A keni dëgjuar ndonjë që të mos e dojë Vlorën. Kush ka lidhje me Vlorën, nuk e harron dot atë. Vlora është gjithmonë e para”, tha kryeministri Rama.
Duke u ndalur tek investimet në këtë qark, kreu i Qeverisë theksoi se pranverën e vitit që vjen do të fillojë edhe investimi në rrugën e Lumit të Vlorës.
Gjatë konferencës tradicionale të fundvitit në bashkëbisedim me gazetarët, por edhe me ndjekësit e tij në Facebook&Tëitter, Rama tha se ka ende punë për të bërë në sektorin e shëndetësisë.
Premtimet e pambajtura
I pyetur nga gazetarët e pranishëm në konferencë se a mund të konsiderohet premtim i pambajtur mbulimi universal shëndetësor jo i plotë, kreu i qeverisë u përgjigj se edhe Obama në SHBA nuk arriti ta realizojë të plotë programin e tij shëndetësor.
Ai tha se për të shkuar te mbulimi universal shëndetësor duhet kohë.
“Mbulimi universal shëndetësor jo vetëm që ka ndryshuar por është konsoliduar për hapat që kemi hedhur në atë drejtim. Nuk është përmbushur. I njëjti premtim u bë nga Obama në SHBA, dhe sot e gjithë ditën sistemi i tij është aty por ende ka diskutime nëse është i plotë apo jo. Që do të thotë se është proces. Për të shkuar te mbulimi universal shëndetësor duhet kohë. Por konkretisht, mjeku i familjes ishte me pagesë tani është falas. Tarifat në spitale ishin 5 herë më të mëdha. Sot ka tarifa, por janë të ulëta, dhe po shkojnë drejt 0. Jemi drejt përmbushjes së objektivit. Një sërë shërbimesh të tjera janë falas, që nga hemodializa tek checkup-i,” tha Rama.
“Marrëdhënia me FMN nuk do të ndërpritet”
Rama e çeli me ekonominë konferencën e fundvitit për mediat, duke theksuar se ajo është në rrugën e duhur falë një procesi të gjerë reformash.
Rama: Ekonomia e 2016-s është pa asnjë dyshim aspekti më kuptimplotë i një procesi reformash që kanë filluar të çelin rrugën e re në drejtimin e duhur. Kemi një ekonomi që rritet në mënyrë të qëndrueshme. Sipas gjithë parashikimeve do të mbyllet këtë vit me një rritje midis 3.3 dhe 3.5 për qind. jemi larg kufirit të ambicies tonë me një rritje prej 5%. Asnjëherë më parë rritja e rrogave dhe pensioneve nuk është shoqëruar me ulje borxhi, por përkundrazi është bërë me rritje të borxhit.
Rama u ndal edhe tek dëmshpërblimi i banorëve të përmbytur si dhe zerimi për kamatëvonesat e energjisë për familjet në nevojë dhe pensionistët.
Rama: Qeveria jonë nuk harron askënd dhe nëse mundësitë nuk janë për t’u përgjigjur në çast, pa dyshim kur vjen momenti, ne japim përgjigje. Këtë mund ta dëshmojnë të gjitha familjet që papritur marrin dëmshpërblimin për pasojat e përmbytjeve.
“Nuk do të bëhem në asnjë rast pengesë për dekriminalizimin”
Kryeministri Edi Rama tha se mazhoranca nuk do të bëhet pengesë në asnjë çast për dekriminalizimin.
Rama: Për mua, procesi i dekriminalizimit ka përfunduar ditën kur kemi votuar ligjin. Janë institucionet që duhet të zbatojnë ligjin dhe jo frymëzimi të shkuarës që përkthehet shumë rëndomt në gjueti shtrigash. Unë nuk bëjë gjueti shtrigash. E kam neveritur dhe një nga arsyet pse i jam kundërvënë atij regjimi ka qenë gjuetia e shtrigave. Ligji është aty dhe institucionet duhet ta zbatojnë.
Nuk do t’i bëhemi në asnjë çast pengesë zbatimit të këtij ligji. mbledhja e djeshme dha një shembull kuptimplotë të këtij vullneti parimor, ashtu sikurse dha një shembull të hipokrizisë të PD-së dhe drejtuesit të saj që tjetër thonë, tjetër bëjnë. T’i tregojnë shqiptarëve që në rastin e parë e shkelën ligjin dhe si ka mundësi që për ta kur vjen puna tek vetvetja ligji është i pavlerë.
“Ndërtimi i Rrugës së Arbrit nis në gjysmën e parë të vitit 2017”
Kryeministri Edi Rama theksoi se Rruga e Arbrit do të nisë të ndërtohet në fillim të vitit të ardhshëm.
Rama: Rruga e Arbrit do të fillojë para mbarimit të mandatit dhe do ta mbarojë unë si kryeministër që do të vazhdoj pas 18 qershorit. Në pranverë do të kemi kontratën me fituesin e garës dhe do të nisim rrugën e Arbrit.
Patjetër, procedurat kanë të papritura pasi ka ankime. Si deputet i Vlorës më është dashur të zvarritem për Lungo Maren dhe lumin e Vlorës. Sidoqoftë, Rruga e Arbrit është me procedurat e Shtetit shqiptar, gjysma e vitit të parë të vitit të ardhshëm do të nisim punën.
KOHA JONË SONDAZH

