Rama krah El Alabbar: Nënshkruhet memorandumi për ndërtimin e portit turistik të Durrësit, investim 2 mld$

Është nënshkruar këtë mbërmje Memorandumi i Bashkëpunimit për ndërtimin e portit turistik të Durrësit. Investimi prej 2 mld dollarësh është një bashkëpunim midis “Eagle Hills Real Estate Development” shpk, përfaqësuar nga investitori e zhvilluesi me famë botërore Muhammed El Alabbar dhe “Albanian Seaports Development Company”.

Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama bëri me dije se janë mbyllur negociatat me Muhammed El Alabbar për fillimin e investimit në Portin Turistik të Durrësit.

“Patëm një takim shumë vëllazëror dhe ai dëshironte që të më mbante pak më shumë, por unë i thashë që kam një arsye të fortë që të kthehem sot sepse finalizojmë një punë intensive negociatash, diskutimesh, nga njëherë edhe krisjesh në proces me El Alabbar. Jemi gati që të nënshkruajmë protokollin e bashkëpunimit që i hap rrugë fillimit të investimit për Portin më të Madh të Mesdheut. Presidenti tha për El Alabbar je i lirë të shkosh. Skuadra jonë nënshkruan për herë të parë një kontratë të këtyre përmasave. Bëhet fjalë për një vullnet që buron nga një miqësi e posaçme mes princit dhe Shqipërisë e shqiptarëve”, tha Rama.

Investitori e zhvilluesi me famë botërore, Muhammed El Alabbar premtoi se do të krijojnë diçka madhështore, nga e cila do të mahniten njerëzit e nuk do të duan të largohen. Për këtë ai theksoi se do të marrin mendjet më të mira, ndërsa nuk hezitoi të shprehte falënderimet për të gjithë ekipin që ka punuar për këtë projekt të madh.

Zv.kryeministrja, njëherazi edhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku ka folur për Portin e Durrësit, ku tha se ai do të shndërrohet në një port turistik, teksa pjesa tjetër do të zhvendoset në Porto Romano. Ajo tha se ky port në Porto Romano do të jetë i lidhur me një hekurudhë me portin e thatë në Prishtinë, si edhe një pjesë fundore për operacione militare nën ombrellën e NATO-së. Ky projekt është prezantuar edhe në Bruksel.

SHKARKO APP