Rama: Kruja është dëmtuar shumë, do të nisim një projekt disavjeçar
“Ne do të vazhdojmë një zinxhir projektesh këtu dhe kjo varet edhe nga ju, – i tha Rama Nënkryetarit të bashkisë së Krujës, – sepse jeni ju që do të na propozoni. Duam që tani e kemi vënë në mbrojtje Krujën, t’i japim një status të veçantë edhe në vëmendje, sepse është një nga pikat që është dëmtuar më shumë dhe ka nevojë për më shumë kurim, sepse është dhe një pikat që sjell më shumë të ardhura, një pikë ku normalisht s’duhet të ketë papunësi. Të ndërtojmë një projekt disavjeçar zhvillimi,” – theksoi Kryeministri.
Në qytetin e Krujës ka nisur projekti që parashikon rikonstruksionin e segmentit rrugor që lidh qendrën e qytetit Krujë me 3 lagjet e vjetra të këtij qyteti, Kasme, Berbere dhe Kala. Rruga shërben për të lidhur gjithashtu edhe 2 fshatra që ndodhen afër Krujës, Barkanesh, Dane Fushë Madhe si dhe Institutin e sigurisë së Lartë në Zaharia.
Projekti i rrugës së Kalasë parashikon zgjerimin e saj në anën e majtë. Rruga do te pajiset njëkohësisht edhe me sistemin e ndriçimit, shtylla çdo 30 m nga njëra tjetra.
Projekti do të ofrojë mundësinë e një qarkullimit të disiplinuar dhe të lirshëm për makinat e vogla dhe kryesisht të autobusëve drejt kalasë Krujë. Ndriçimi i rrugës së malit do të përmirësojë lëvizjen e makinave dhe njerëzve gjatë natës. Kjo rrugë shërben gjithashtu edhe si shëtitore e qytetit Krujë.
Kryeministri Rama ka parë nga afër edhe punimet që po kryhen edhe në pazarin e vjetër të Krujës me fonde të Fondit Shqiptaro Amerikan.