Rama lejon të moshuarit nesër deri në orën 11:00: Dilni e merrni ajër!
Ditën e nesërme, deri në orën 11 të paradites, pensionistët mund të dalin për ajrosje dhe vetëm të shoqëruar nga një person. Lajmin e dha kryeministri Edi Rama.
“Nesër duke qenë se gjithçka është e mbyllur, pensionistët, mund të dalin. As për vizita, as për domino, por për ajrosje. Deri në 11 të paradites dhe jo më shumë se me një person, por duke ruajtur distancën”,- u shpreh Rama.
Në një kohë kur, duke nisur nga sot pasdite e deri ditën e hënë nuk do të lejohet dalja e qytetarëve apo dhe automjeteve në rrugë, të vetmit të privilegjuar nesër do të jenë pensionistët.
Pasi Covid-19 shpërtheu edhe në Shqipëri, qeveria mori një sërë masash, siç ishte dhe ndalimi i daljes së pensionistëve në rrugë.