Rama: Lufta e Vlorës, më e veçanta në historinë botërore të luftërave

Në fjalën e tij në ceremoninë e 100-vjetorit, kryeministri Edi Rama e cilësoi Luftën e Vlorës si më të veçantën në historinë e përbotshme të luftërave për nga përfundimi i saj.

Nga Sheshi i Flamurit, ku po përkujtohet 100-vjetori i kësaj lufte, kreu i qeverisë tha se Lufta e Vlorës u fitua nga pala që ishte objektivisht e humbur, dhe pikërisht kjo e bën aq të veçantë.

Lufta e Vlorës është një nga luftërat më të veçanta në historinë e përbotshme të luftërave për nga përfundimi i saj. Një luftë e fituar nga pala që ishte objektivisht e humbur. Nëse Pavarësia e 8 viteve përpara Luftës së Vlorës i tregoi botës se shqiptarët ekzistojnë, është Lufta e Vlorës që tregon për herë të parë se dhe shteti shqiptar ekziston dhe ka forcën të ushtrojë të drejta të barabarta në raport me çdo etnitet tjetër sovran.

Për këtë themi se te Lufta e Vlorës gjendet një nga ato momentet formuese të shtetit të ri shqiptar. Kjo na bën të gjithëve që vlonjatëve t’u jemi borxhlinj dy herë, jo vetëm për Pavarësinë, por edhe për Luftën e Vlorës.

Shqipëria rrezikonte të vishej sërish me të zeza, nga Traktati i fshehtë i Londrës, por amerikanët e mbështetën atë që ndodhi, edhe përmes shtypit të tyre të lirë, që në atë kohë.

Një tjetër element i rëndësishëm është pjesëmarrja e jashtëzakonshme e grave në atë luftë. Ishin gratë që organizuan një rrjet shitjesh të bizhuterive për mjekime”, deklaroi kryeministri Rama.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e organizuar me rastin e përkujtimit të 100 vjetorit të Luftës së Vlorës:

Në vitin 1987, kur Flamurtari i Vlorës mundi Barcelonën e shumëherë kurorëzuar me tituj kombëtarë dhe ndërkombëtare, shtypi ynë diku pati shkruar për një fitore të organizimit të hekurt komunist, përballë kapitalizmit “skllavërues të masave”. Ndërsa, aty ku kishte gazetari të mirëfilltë në Spanjë, shtypi me admirim të posaçëm përshkroi sagën e një ekipi të varfër, të papaguar dhe të papërkrahur, që arriti të korrte një fitore që për nga përmasat ishte po aq e pamundur, sa ajo e Davidit kundër Golias.

Çfarë lidhje ka suksesi i Flamurtarit në 1987-n dhe goli i Sokol Kushtës me arsyen pse jemi këtu, Luftën e Vlorës në 1920-n dhe figurën e Selam Musait?

Besoj që kanë analogjinë e së pamundurës, e cila është në AND-në e gjakut të vlonjatëve, sikundër më shumë sesa një herë, historia jonë e përbashkët ka folur, një popull i çuditshëm me një aftësi të hatashme për të tejkaluar kufijtë e asaj që është e mundur dhe për të realizuar në momente të caktuara diçka të pamundur. E faktikisht, Lufta e Vlorës është një nga luftërat më të veçanta në historinë e përbotshme të luftërave për nga përfundimi i saj.

Një luftë e fituar nga pala që ishte objektivisht e humbur.

Albanologu Edwin Jacques, në librin e tij “Shqiptarët”, përshkruan fanfarën madhështore me të cilën u gdhi qyteti i Vlorës në 3 shtator 1920, një ditë pasi trupat e huaja u larguan nga vendi, apo siç njihej në zhargonin e kohës, – dhe siç ne e mësuam nga historia, në atë kohë kur historia mësohej me pathos – “u hodhën në det”.

“Nëpunësit ushtarakë e civilë planifikuan një organizim madhështor triumphal” – shkruan Edwin Jacques. Ata ftuan bandat muzikore “Vatra” e “Afërdita”. 23 muzikantë elbasanas u nisën me kuaj për në Vlorë. Netët i kaluan në qytete të ndryshme, por hyrja triumfale në Vlorë ngjalli emocione të pakrahasueshme patriotizmi dhe hareje”.

Festa vazhdoi me ditë me radhë, me marshe dhe këngë patriotike, që shoqëroheshin shpesh nga interferencat e këngëve të grupeve të ushtarëve, apo dhe qytetarëve të hareshëm. Sepse mbaruan punën dhe të gjithë filluan të ndahen si zakonisht.

Por, mes tingujve të muzikës, ata që shtypi italian i etiketoi si “barinjtë heroikë”, të njëjtët që ngjallën tërbimin e papërmbajtur të një edorialisti të gazetës “Avanti”, i cili quhej Benito Mussolini, që i kushtoi një shkrim të posaçëm me tërbim kësaj që ne, sot kujtojmë si ngjarje, dy vjet përpara se ai vetë të merrte pushtetin, në Romë. Realizoi diçka të një magnitude që askush nuk e kuptoi saktë si ndodhi në kohën kur ndodhi.

Tajar Zavalani, një penë e spikatur e BBC-së për dekada të tëra, në shqip, pas ikjes si i përndjekur nga komunizmi, shpjegon në një libër të shkruar në vitin 1966 se: “Marrëveshja për lirimin e Vlorës nga sundimi i huaj ishte i pari dokument ndërkombëtar që nënshkroi qeveria shqiptare si pushtet sovran dhe me kushte të barabarta”.

“Ky – shkruan Zavalani – pati një influencë fort të dobishme mbi pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë dhe e përshpejtoi njohjen e saj si shtet i pavarur brenda kufinjve të 1913”.

Me fjalë të tjera, nëse pavarasia e tetë viteve përpara Luftës së Vlorës i tregoi botës se shqiptarët ekzistojnë, është Lufta e Vlorës ajo që tregon për herë të parë që edhe shteti shqiptar ekziston dhe ka forcën dhe mundësinë të ushtrojë të drejta të patjetërsueshme, të barabarta, në raport me çdo entitet tjetër sovran.

Për këtë arsye, tek Lufta e Vlorës, me të drejtë mund të thuhet se gjendet një nga ato momentet formuese të organizmit të ri të shtetit shqiptar. E kjo na bën të gjithëve që vlonjatëve t’u jemi borxhlinj, jo thjeshtë dhe vetëm për diçka që është shumë e madhe në vetvete “Pavarësisë” , por edhe dy herë borxhlinj për arsye të luftës së Vlorës.

Gramoz, mos mu mërzit se nuk e përjashton kjo të ndjerit borxhli ndaj Tepelenës që gjithmonë e ka ndihmuar Vlorën, ose ka ditur të udhëheqë në Vlorë në momente të caktuara, mbi gjemba kuptohet gjithmonë, por ja ka dalë.

Sot, në këtë përvjetor jubilar, është momenti për të kujtuar, jo thjeshtë heroizimin e kësaj ngjarjeje në vetvete, por edhe peshën e kësaj ngjarjeje, jo thjeshtë si një akt kundërshtie ndaj një force të huaj në territorin sovran, por edhe si një akt këmbëngulje në vazhdën e ndërtimit të një shteti shqiptar, që në atë kohë ishte në pelenat e veta.

Siç shkruan Teki Selenica tek “Shqipëria më 1927”: “Historia me të drejtë do të pyesë: po me se luftonin?

Bëhej fjalë për një trupë njerezish, sepse ushtri nuk ishte. Nuk mund të konsiderohej një formacion i organizuar sepse i tillë nuk ishte dhe që kishte përballë një nga ushtritë më moderne të kohës në atë moment.

“E përgjigja – thotë Teki Selenica -është: Luftonin me zemrën e shqiptarit e me shpirtin e një kombi që për të jetuar kishte vendosur të vdiste”.

“Se armë nuk kishin, vetëm ca të ndryshkura dhe edhe ato pa municion dhe pa teklif, luftëtarët e Vlorës kishin marrë gunën në sup, torbën në krah me një copë bukë mistri të thatë prej shpie, me kamën në dorë, një gjysmë opinge në këmbë dhe pak lesa”.

E kështu, me një raport 1 me 5 ndaj një prej ushtrive më moderne të botës në atë kohë, kjo turmë njerëzish e motivuar nga diçka që vinte shumë thellë dhe e bashkuar si me magji në një drejtim, ia doli të realizojë një nga fitoret më të bukura dhe më mbresëlënëse në historinë e strategjisë së betejave e të luftërave që studiohen në akademitë e specializuara.

Hetimi i nisur në vitin 1921 nga gjykatësi i gjykatës së Apelit të Napolit, Augusto Ferraro, mbi shkaqet e humbjes, konfirmon se triumfi i shqiptarëve ishte sa i pamundur, aq edhe i papritur. Një rrufe në qiell të pastër për palën tjetër dhe ky raport tregon dhe diçka tjetër, që është me vlerë të sillet këtu. Rritja e çmimit të bukës, por mbi të gjitha, ndërhyrja e SHBA-së e detyroi Romën zyrtare të përfundonte pushtimin luftarak të Vlorës. E theksoj këtë, sepse është një moment shumë i veçantë dhe nuk dua të hyj më tutje në të thella se nuk është as vendi dhe as roli im ta bëj këtë gjë, por besoj që sot është momenti për të nënvizuar faktin se edhe në atë luftë, edhe në atë kohë, Shqipërisë i janë gjendur në krah miq që e ndihmuan të mos i ndodhte ajo që Ismail Qemali tha nga ballkoni i mëvetësisë: Shqipëria rrezikonte sërish të vishej me të zeza. Dhe e ndihmuan edhe më parë, edhe më pas dhe pa mbështetjen e palëkundur të Presidenti Wilson në Konferencën e Paqes së Parisit, pavarësisht heroizmit të Vlorës, Traktati i fshehtë i Londrës mund ta kishte veshur sërish me të zeza Shqipërinë. Por amerikanët nuk u mjaftuan në atë kohë vetëm me një mbështetje diplomatike, por amerikanët e mbështetën atë që ndodhi edhe përmes shtypit të tyre të lirë që të asaj kohe dhe qoftë në Washington Post, qoftë në Chicago Tribune gjenden artikuj që flasin me admirim të madh për shqiptarët dhe për kontributin e tyre përmes këtij akti. Pati dhe të tjerë në atë kohë, Papa Benedikti i XV, e pavdekshmja Edit Durham, Justin Godarti i njohur dhe i respektuar në Shqipëri, një fraksioni i vogël, ose më saktë i margjinalizuar i politikës italiane dhe edhe një pjesë e opinionit italian, por ndër të tjerë ka dhe një personazh shumë interesant që ishte në anën tjetër, që i përkiste palës tjetër, një marshall italian, Vincenzo Giovani, i cili ndaloi shpërthimin e depos së madhe të municioneve që mund të kishte rrafshuar në mos të gjithë qytetin, një pjesë të madhe të qytetit përpara largimit.

Duke dëgjuar fjalën e kryetarit të bashkisë që iu drejtua përfaqësuesve të komuniteteve fetare, të cilët janë këtu të ftuar, dua të theksoj edhe rolin e rëndësishëm që patën komunitetet fetare, kishat, xhamitë dhe teqetë, si dhe shumë priftërinj, hoxhallarë, famullitarë, baballarë dhe imamë, që janë në fakt një segment i panjohur, të paktën për shumë prej nesh që historinë e Vlorës e mësuam të shkruar nga fitimtarët e asaj historisë tjetër më mbrapa, për të cilët e dimë shumë mirë që gjithë kjo kategori kontributorësh në historinë e popullit shqiptar u fshi sikur të mos kishte ekzistuar kurrë, sepse në çdo trevë, thirrjen për t’ju bashkuar Komunitetit të Mbrojtjes Kombëtare në atë kohë e udhëhoqën pikërisht përfaqësuesit e klerit, të të gjitha besimeve. Ishin si të thuash hallkat e të vetmit zinxhir institucionesh që e mbështetën dhe që i lidhën bashkë me influencën e tyre, shpirtrat e gatshëm, pikërisht pse të revoltuar, të atyre që pastaj u bënë protagonistë të mëdhenj e që me të drejtë kanë atë vijën e parë në rreshtin e heronjve të Luftës së Vlorës.

Një tjetër element i rëndësishëm i Luftës së Vlorës, që meriton sot të kujtohet, është pjesëmarrja e pazakonshme e grave në atë luftë. E pazakonshme në raport me çdo luftë tjetër të mëparshme të shqiptarëve dhe jo vetëm e drejtpërdrejtë, por ishin gratë që organizuan një rrjet shitjesh të bizhuterive për mjekime dhe për të asistuar luftëtarët. E padyshim, të gjitha këto nuk e bëjnë aspak më të rëndësishme, përkundrazi, thjesht tregojnë se çfarë peshe kishte ajo bërthamë luftëtarësh që e morën përsipër këtë çmenduri, nëse do të niseshin nga një arsyetim i ftohtë logjik dhe që e bënë realitet sepse ishte një arsyetim i bërë jo me mendje, por me zemër. Pa diskutim që përhapja e epopesë së kësaj lufte në të gjithë Shqipërinë solli më pas, edhe një valë që zgjati krijimtarie për luftën, këngë, shumë këngë i përkasin pikërisht nderimit të Luftës së Vlorës dhe duke u kthyer tek Gramozi, pa pretenduar ta konkurroj dot se nuk e konkurroj dot në citimin e drejtë polifonik të njërës prej këngëve, kujtoj dy vargjet e famshme: Çe zure topin nga gryka, lule more Selam lule.

Apo një varg tjetër, sa i famshëm, aq edhe paksa i frikshëm: Me shokë del nga istikami, sulmon porsi tigër mali.

Përpos këngëve, dekoratave, fanfarës, nderimit të kujtimit të dëshmorëve, në ceremoni edhe si kjo që janë më e pakta që mund të bëjmë, unë besoj që nderimi i tyre dhe i këtyre ngjarjeve bëhet përmes ndreqjes me kujdes dhe me sa më shumë objektivitet të gabimeve që trazuan shumë shpirtrat e tyre në shekullin që kaloi, por jo vetëm në shekullin që kaloi, që rëndom papritur trazojnë shpirtrat e tyre e nuk e kam fjalën vetëm për ata të Vlorës, e kam fjalën për të gjithë, përmes penës së njerëzve që pa pasur atributet e mjaftueshme, pa pasur njohuritë e mjaftueshme e mbi të gjitha, pa pasur sensin e mjaftueshëm të modestisë intelektuale, siç e quante Sokrati, ndërhynë duke ringacmuar gabim historinë. Fatkeqësia jonë është që ne të gjithë kemi, – flas për gjeneratën time e për ata pak më të mëdhenj në moshë, por edhe për disa pak më të vegjël në moshë, – fatkeqësinë e mësimit të historisë së shkruar nga një palë fitimtarësh. E për fat të keq, ky mëkat i një pale që përpiqet të imponojë historinë e shkruar prej saj me logjikën e fitimtarit, nuk u ndërpre me fundin e diktaturës komuniste, por u ripërsërit, sigurisht në një formë karikaturale, në një formë shumë më pak serioze, por në një formë mjaftueshmërisht perverse, duke sjellë dëme të tjera dhe duke dëmtuar edhe një brez tjetër më të ri akoma, që nuk e pati fakteqësinë që historinë ta mësonte me imponim, në mënyrë të njëanshme nga fitimtarët. Unë dua të besoj që pak nga pak, njerëzit e kësaj fushe dhe institucionet e kësaj fushe, jo politika, jo qeveria, as opozita jo e jo, por njerëzit që dinë se çfarë thonë kur flasin për historinë, të mund të ndreqin shumë shtrembërime të vjetra e të reja e të mund të krijojnë edhe për të gjithë të tjerët, përfshirë edhe politikën, një sens respekti për mendimin e kultivuar dhe të kualifikuar të historianëve. Do të ishte nderimi më serioz që do t’i bëhej Luftës së Vlorës e të gjitha luftërave të tjera e patjetër do të ishte shlyerja e një borxhi të madh, e një borxhi shumë të madh, që në Shqipëri, ata që kanë pasuar luftërat janë karakterizuar nga përpjekja për të treguar heroizma që nuk i kanë bërë kurrë, për të shfrytëzuar momente e pozicione të caktuara, për të vënë veten në rresht me fitimtarë në luftëra që nuk i kanë zhvilluar kurrë e për më tepër, për ta transferuar pastaj këtë nga një brez në tjetrin.

Me respekt për të gjithë të pranishmit që janë këtu, edhe pjesë e trashëgimtarëve të familjeve që patën njerëz në Luftën e Vlorës. Edhe një herë me shumë respekt për të gjithë përfaqësuesit e komuniteteve fetare e natyrisht, për të gjithë të pranishmit, ju falenderoj!

SHKARKO APP