“Shakaja” e Ramës: Mafia italiane është armiku i betuar i riciklimit të mbetjeve
Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në seancën plenare tha se “mafia është armiku i betuar i riciklimit të mbetjeve”.
“Në vitin 2013, Shqipëria riciklonte pak më shumë se 10% të mbetjeve, ndërsa sot 17%. Shifër shumë e ulët, por ju them se Italia riciklonte 18% të mbetjeve në vitin 2014. Në Itali gjendet kupola e mafias së plehrave dhe riciklimi ka armik të betuar: mafian. Mafia është e vendosur që të bëjë çmos që të mos lejojë riciklimin. Arsyeja: mjafton të shikoni Napolin. Kur Napoli mbushet me plehra, është koha e firmosjes së kontratave për groposje. Nëse plehrat riciklohen, nuk groposen dot dhe humbja në para’ e atyre që groposin, do të ishte shumë e madhe”, shpjegoi Rama.
Më tej, kryeministri tregoi se pse nuk ka arsye për t’u shqetësuar për importin e mbetjeve: Duku ju drejtuar opozitës, ai tha: “Ju nuk e bëni dot dallimin midis plehrave dhe mbetjeve. Ligji i ri nuk lejon importimin e plehrave nga jashtë. E dyta, e ndalon djegien apo groposjen e mbetjeve të importuara. E treta, nuk lejon dhënie licencash për import mbetjesh për subjekte që nuk zotërojnë fabrikën përkatëse që nuk përpunon mbetjet. E katërta, ndalon çdo subjekt me fabrikë që të importojë mbetje më shumë se kapacitetet e veta përpunuese. E pesta, ligji i ri vjen kur industria joricikluese i ka ezauruar të gjitha kapacitetet për të mbledhur më shumë mbetje në vend”.
KOHA JONË SONDAZH

