Rama me gazetarët: Buxheti i vitit 2021 ka prioritet rindërtimin
Kryeministri Edi Rama ka nisur një konferencë me gazetarët. Në fokus të konferencës është tema e ekonomisë. Që në fillim Rama tha se buxheti i vitit 2021 ka si prioritet rindërtimin.
“Edhe projektbuxheti i vitit 2021 vazhdon të adresojë pikërisht pasojat e tërmetit dhe fatkeqësinë tjetër të madhe, pandeminë. Për programin e rindërtimit parashihen 28 mld lekë në buxhetin që po hyn, si dhe bonusi i qirave për familjet që do të kthehen në apartamentet e reja. Qëllimi ynë mbetet deri në fund që shtëpitë e rindërtuara të jenë më të forta dhe në shumë raste edhe më të mëdha nga ato që familjet humbën nga fatkeqësia. Kjo krizë po kthehet në një mundësi, ku shumë familje do të jetojnë në standarde optimale, mjafton të shikoni zhvillimet në Thumanë e zona të tjera”, u shpreh Rama.
Më tej, kryeministri bëri publik edhe një lajm se është gati nënshkrimi i një marrëveshje të re me Emiratet e Bashkuara Arabe për investime direkte, kryesisht në funksion të turizmit.
“Më në fund, kemi përfunduar procesin e hartimit të marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara dhe tanimë jemi gati për firmën përfundimtare. Po punojmë ngushtësisë me miqtë tanë në Emiratet e Bashkuara për një marrëveshje të re për investime direkte edhe në zonën e prekur. Këto investime lidhem me aspekte që janë jashtë rindërtimit, kryesisht në funksion të turizmit”, tha Rama.