Rama në Bruksel: NATO të vijojë dialogun me Serbinë
Në konferencën për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, kryeministri Edi Rama tha se duhet të vijojë bashkëpunimi me Serbinë, si një nga shtetet e pakta që nuk është pjesë e aleancës. Po ashtu Rama theksoi se koncepti i ri strategjik që kanë miratuar, thekson rolin strategjik të Ballkanit Perëndimor për NATO-n.
“Është e rëndësishme që ne të vazhdojmë bashkëbisedimin tonë përkundrejt situatës dhe po kështu edhe detyrimet që ne kemi në Ballkanin Perëndimor, që pikërisht të parandalojmë çdo përshkallëzim e të parandalojmë që çdo ndikim i keq të kthehet në problem për rajonin tonë.
Në kapacitetin tonë si vend aleat dhe si vend kandidat për në BE, ne do vazhdojmë të luajmë rolin tonë tradicional, në mbështetje të paqes rajonale, pajtimit dhe sigurisht, stabilitetit.
Ndërkohë që koncepti i ri strategjik që sapo kemi miratuar thekson rolin strategjik të Ballkanit Perëndimor për NATO-n, ne besojmë shumë se është tejet e rëndësishme që të vijojmë një dialog të përhershëm me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë, e cila nuk është pjesë e aleancës sonë, por ende është pjesë e rajonit tonë”, tha Rama.