Kryeministri ultimatum Bankës së Shqipërisë: Ulni paranë cash në qarkullim, digjitalizim të shërbimeve financiare!
“Digjitalizimi i shërbimeve financiare”- kërkoj sot kryeministri Rama.
Ai ka zhvilluar sot një takim me përfaqësuesit e sistemit bankar dhe të industrisë së re Fintech.
Gjatë fjalës së tij, Rama ka thënë se: “Shqipëria duhet të shkëlqejë në rajon dhe në Europë: në turizëm, energji dhe inovacionin. Këto janë tre drejtimet ku mund të rrisim ekonominë, mund të krijojmë hapësirë për biznesin e familjet. Tani në epokën e teknologjisë vendi mund të bëjë kapërcim 100 vjet brenda 6 muajsh. Bankat janë aty për të hapur dyert e zhvillimit e teknologjisë e të Shqipërisë që mund të shkojë shumë më shpejt duke u kthyer nga një vend me përdorimin më të lartë të cash në ekonomi, në një vend pa cash në transaksionet e jetës ekonomike. Kjo është plotësisht e mundur.
Unë e di shumë mirë që tek hyrja në vend e aktorëve të rinj që vijnë me zgjidhje digjitale ka dhe sfida dhe prishje të rehatisë së bankave patjetër por kjo është e paevitueshme. Mendoj se është koha të merremi vesh shumë qartë për këtë. Nuk mund të pranojmë më këtë situatë.
Teknologjia aq sa na jep mundësi të përshpejtojmë në mënyrë eksponenciale progresin ma bën që çdo ditë që humbasim na lë prapa sepse të gjithë vrapojnë e kërkojnë”, tha Rama.
Me tej Kryeministri bëri një paralajmërim Bankës së Shqipërisë:
“Duam ndryshim të shpejtë dhe real, jo pas disa vitesh por këtë vit. Pensionistë që marrin pensionet përmes sistemeve të reja, biznese që shesin me këto sistemi. Duam të shikojmë rënie reale të cash në qarkullim, rritje reale të transparencës së parasë dhe të ardhurave për vendin. Këtë duam ta bëjmë në mirëkuptim të plotë dhe paqe, por në të gjitha rastet do ta bëjmë patjetër, se nuk pranojmë dot këtë inerci të tmerrshme. BSH ta udhëheqë këtë proces me shumë forcë. Të gjitha justifikimet, alibitë që vijnë nga prishja e zonës së komfortit, ne nuk do t’i pranojmë. Çdo gjë që e bën një vend tjetër, s’ka pse nuk e bën Shqipëria”, tha Rama duke iu drejtuar përfaqësuesve të sistemit bankar.
“Të kërkojmë nga bankat që të jenë në lartësinë e kësaj sfide, që është sfida e Shqipërisë. Një sfidë shumë e vështirë, që duhet të shkëlqejë në Europë. Teknologjia aq sa në jep mundësi të përshpejtojmë progresin, na bën që çdo ditë që humbasim na lë shumë më pas”, tha Rama.