Rama në Korçë: Çdo kryebashkiak i ri të ketë pikë të parë të programit njerzillëkun me qytetarët
”Turi i Mirënjohjes” i PS-së këtë të hënë u ndal në Korçë. Kryeministri Edi Rama foli për rezultatin e 14 Majit, ndërsa tha se ka një falënderim për të gjithë ata qytetarë që nuk kanë votuar, pasi ata braktisën hijet e së shkuarës, referuar këtu Metës dhe Berishës. Nga ana tjetër, Rama tha se pikë prioritare e programit të çdo kryebahskiaku duhet të jetë njerzillëku me qytetarët.
”Dua të falënderoj ata që s’kanë dal në votim, ua kemi kërkuar këtë gjë. Duke bërë ata që kanë bërë ata meritojnë respekt sepse janë sjellë si patriotë duke braktisur hijet e së shkuarës që u shfaqën vetëm për të na kthyer mbrapa. Në kushtet e kësaj pritshmërie të madhe, çfarë behët. Si kthehet ky borxh.
Ka një gjë që mund të përmbushet 100%. Kjo është njerzillëku me të gjithë anëtarët e një komuniteti, me çdo qytetar të këtij vendi, me çdo familje që ka nevojë për këtë shtet, njerzillëku me çdo sipërmarrje, çdo grup interesi, që është dhe duhet të jetë për mua pika e parë e programit qeverisës të çdo kryetari bashkie të dalë nga vota e 14 Majit.
Në këtë pikë kemi deficite kudo, në nivelin qendror, vendor. Këtu ua kërkoj me forcë të gjithëve. Që ta kuptojnë dhe ta vënë në jetë. Të krijojnë mekanizma që të gjithë njerëzit të ndihen të dëgjuar, të respektuar. Pastaj zgjidhet apo jo një hall apo problem tjetër kjo varet nga mundësitë. Pavarësisht nëse nuk ma zgjidh hallin, të paktën ma qaj thotë populli ynë”,-tha Rama.