Rama në Kuvendin Kombëtar të Gjuhës Shqipe: Të rinjtë, shpresa që shqipja t’i mbijetojë sfidave të kohës

Kryeministri Edi Rama, nga Kuvendi Kombëtar për Gjuhën Shqipe, foli për rreziqet që i parashtrohen gjuhës sonë.

Kreu i qeverisë u shpreh se sot jetojmë në kushtet e një presioni të gjuhës shqipe, që vjen si rezultat edhe i rrjeteve sociale.

Rama: Ky është një falënderim që lidhet me një ndjesi befasie, të cilën e përjetova personalisht nga niveli i konkursit dhe nga fakti që, duke parë nxënës të konkurrojnë në këtë lëndë jo të lehtë, aq më tepër në një kohë kur jetojnë nën ndikimin e rrjeteve sociale, ju them sinqerisht se mendova se ka ende shpresë që gjuha shqipe t’i mbijetojë barbarisë së këtij shekulli, që kërcënon jo vetëm gjuhët në tërësi, por edhe vetë rrënjët e njerëzimit. Sa i takon emrit shqip, shqiptar, Shqypni, Çabej e sheh me dyshim këtë termologji. Megjithatë, ne shqiptarët nuk kemi reshtur kurrë së kontestuari, qoftë edhe deri tek Çabeji i madh, në përpjekje për të nxjerrë në pah të kaluarën tonë të lavdishme. Lavdi që do të mjaftonte ta kërkonim dhe ta mbanim fort tek e vërteta, jo tek fantazitë apo deliret e së sotmes.

Sot, ky Kuvend Kombëtar i Gjuhës Shqipe është i rëndësishëm për disa arsye. Në këtë përvjetor të 160-të të Kongresit të Manastirit, që miratoi alfabetin e gjuhës shqipe, shqipja shfaqet jo vetëm si simbol i identitetit tonë kombëtar, por edhe si një përkatësi e përbashkët e të gjithë shqiptarëve. Për më tepër, shumë shpejt ajo do të jetë gjuhë zyrtare në Bashkimin Evropian, duke u rreshtuar ndër gjuhët më të rralla dhe të veçanta të këtij unioni. Ky Kuvend vjen gjithashtu si rezultat i Samitit të Tretë të Diasporës, ku shqipja ishte një nga temat kryesore. Në atë forum, së bashku me komunitetin tonë jashtë vendit, dolëm në disa përfundime dhe morëm disa vendime për ta ruajtur dhe për ta promovuar më tej gjuhën tonë. Në zinxhirin e historisë sonë, ka pasur disa besëlidhje. Një hallkë e rëndësishme e këtij zinxhiri është Kongresi i Manastirit, ku një grup shqiptarësh patën vizionin, guximin dhe vullnetin për t’u dhënë shqiptarëve, atëherë dhe përgjithmonë, alfabetin e tyre, në kushte që nuk ishin aspak të lehta. Siç tha atëherë At Gjergj Fishta: “O burra, uluni në shesh, të zgjedhim një komision, çka të bëjmë sot për të mirën e shqiptarëve nesër.”

SHKARKO APP