Rama në Lezhë, prezanton kandidatët: Mes energjisë së të rinjve dhe për Shqipërinë në BE

Kreu i PS-së, Edi Rama e ka vijuar turin e tij këtë të martë në qarkun e Lezhës, ku pas inspektimeve dhe vizitave, mes tyre edhe ai te shtëpia e poetit Gjergj Fishta, ka mbledhur strukturat lokale dhe kandidatët për deputetë. I rrethuar nga të rinjtë ai prezantoi skuadrën e re për Shqipërinë në BE 2030, moto elektorale për këto zgjedhje në fushatën që pritet të nisë. ”Mes energjisë së të rinjve, prezantojmë skuadrën e re për Shqipërinë në BE”, shprehet kryeministri.

Ai bëri prezantimin e të gjithë kandidatëve emër për emër, dy në listën e sigurtë dhe 7 të tjerët në listën e hapur. Më pas fjalën e mori edhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, drejtues politik në këtë qark.

”Votoni për numrin 5, PS-në dhe kryeministrin Edi Rama. Lista e kandidatëve është me moshë të re, me përjashtim mua, që ta udhëheqim partinë drejt mandatit të katërt dhe fitoren në këtë qark”, tha Manja, teksa i ftoi mes emocionesh kandidatët në skenë.

Në fjalën e tij, kryeministri ftoi të rinjtë që të bëheshin pjesë e projektit të PS për të ardhmen europiane të vendit. “Përfituesit më të mëdhenj të 11 majit do jetë gjenerata juaj, për Shqipërinë në BE. Do jeni ju masivisht, që mbështesni planin europian, planin ambicioz për mbyllje negociatash më 2027 dhe anëtarësimin e Shqipërisë brenda kësaj dekade”.

SHKARKO APP