Mbahet sot konferenca e katërt ndërqeveritare Shqipëri-BE, Rama: Hapim një tjetër grup-kapitujsh të negociatave

Tirana zyrtare vazhdon të plotësojë me korrektesi kushtet e BE. Ritmet e Shqipërisë në këtë drejtim janë shpejta. Synimi i Edi Ramës mbetet që brenda vitit 2030 të jemi shtet anëtar i BE.
Shqipëria do të zhvillojë sot konferencën e katërt ndërqeveritare në Luksemburg, ku i pranishëm do të jetë edhe kreu i qeverisë, Edi Rama.
Gjatë këtij takimi, do të diskutohen dy grup-kapituj për tregun e brendshëm dhe konkurencën.
“Dhe me kënaqësinë e madhe, e falenderimin e përulur, për mikpritjen e djeshme të shqiptarëve të Italisë në Milano, si edhe me lajmin e bukur të hapjes sot të një tjetër grupi kapitujsh të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Në konferencën ndërqeveritare do të diskutohet për avancimin e proceseve të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Deri tani, janë mbajtur tre konferenca ndërqeveritare që kanë pasur si objektiv diskutimet dhe përparimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit.
Konferenca e parë ndërqeveritare u mbajt më 19 korrik 2022 në Bruksel, ku u hapën negociatat për Klasterin 1, i cili përfshin disa kapituj në fusha të ndryshme. Ky grup-kapitull ishte një nga më të rëndësishmit, duke prekur aspekte thelbësore si drejtësia, gjyqësori, funksionimi i institucioneve demokratike, prokurimi publik dhe reforma e administratës publike.
Konferenca e dytë u zhvillua më 15 tetor 2024, gjithashtu në Luksemburg, ku u hapën negociatat për një grup-kapitull të rëndësishëm, që trajton tematikat e drejtësisë, gjyqësorit dhe institucioneve demokratike. Hungaria, e cila mbante presidencën gjashtëmujore të BE-së, organizoi këtë konferencë pas arritjes së marrëveshjes mes vendeve anëtare që Shqipëria kishte përmbushur kushtet për hapjen e grup-kapitullit të parë që lidhet me të drejtat themelore.
Konferenca e tretë ndërqeveritare u mbajt më 17 dhjetor 2024 në Bruksel dhe u zhvillua në nivel ministror, duke shërbyer për hapjen e negociatave për Klasterin 6: Marrëdhëniet e jashtme, përfshirë kapitujt “Kapitulli 30 – Marrëdhëniet e jashtme” dhe “Kapitulli 31 – Politika e jashtme, e sigurisë dhe mbrojtjes”.