Rama në Paris, ministri Mazniku: Me rëndësi strategjike, Franca është aktor i domosdoshëm në rrugën evropiane
Ministri për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku e cilësoi pritjen e kryeministrit Edi Rama në Paris si të jashtëzakonshme që flet për një nivel të ri të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Francës. Duke u ndalur tek marrëveshjet e nënshkruara dhe diskutimet për biznesin, ministri deklaroi se institucionet shqiptare do bashkërendohen me Francën për projektet e BE-së.
”Ka një rëndësi strategjike për mënyrën sesi neve përqasemi dhe afrohemi në BE. Në fjalët e Macron u ritha disa herë dy gjëra të rëndësishme. Së pari, që ai vlerëson se Franca ka një marrëdhënie speciale me Shqipërinë. Hap i rëndësishëm duke qenë se Franca është një aktor më shumë sesa i domosdoshëm për të qenë në krahun tonë në rrugën drejt BE. Macron ka propozuar për një mënyrë të re sesi vendet e Ballkanit të afrohen në BE dhe pasja e Francës një aleat në këtë proces është padyshim një tregues shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe mënyrës se si ne i afrohemi BE-së. Ka edhe elementë që lidhen në mënyrë specifike në secilën prej fushave”, tha Mazniku.
Nga ana tjetër, ministri bëri të ditur se deri në fund të vitit synojnë të sjellin në Shqipëri “Shkolla 42”, një ndër shkollat më të avancuara për teknologjinë. Kjo shkollë do t’i bashkangjitet TUMO-s te Piramida, dhe do të shërbejë për të trajnuar të rinjtë nga mosha 18 vjeç dhe lart për të marrë njohuri më të thelluara në këtë fushë.