Rama në Shkup: Ballkani i Hapur i ka bërë një shërbim të madh këtij rajoni

Kryeministri Edi Rama foli në Shkup për Ballkanin e Hapur dhe marrëdhënien me Kosovën.

Rama tha se dhe po të kthehej 1000 herë mbrapa do ta ribënte dhe sipas tij, nuk do të flasë për këtë nismë për t’u fokusuar te Procesi i Berlinit.

“Ballkanin e Hapur 1000 herë të kthehesha mbrapa 1000 herë do ta ribëja. Ballkani i Hapur nuk është një nismë përjashtuese. Është një nga 72 iniciativat që ka në këtë rajon për të cilat ju nuk keni dëgjuar fare. Çfarë e keqeje i ka ardhur nga Ballkani i Hapur rajonit për veç të mirave. Merrni shikoni shifrat e tregtisë mes vendeve. Çfarë është bërë ka shërbyer që edhe procesi i Berlinit që është ombrella dhe ku dua të fokusohem 100% ka përfituar nga Ballkani i Hapur shtysën. Nuk e kuptoj fare si ka dyshime për këtë kur faktet flasin qartë. Sa i përket asaj të vëllazërisë apo gjakderdhjes, mendoj që është rruga më e gabuar e mendimit shqiptar sot. Nuk ka rrugë më të gabuar se sa të vazhdojmë të rrimë në të shkuarën dhe të anatemojmë, të akuzojmë njeri-tjetrin, të grindemi me njeri-tjetrin se cili është patriot i vërtetë. Patriot i vërtetë është ai që e do vendin e vet dhe nuk i do të keqen asnjë vendi tjetër.
Për konkretisht për pjesën që ka të bëjë me Kosovën, do flasim në Kosovë.
Unë pikërisht ngaqë nuk dua fare në këtë proces për organizimin e samitit të Berlinit dhe domosdoshmërinë për t’u futur të gjithë bashkë në ombrellën e procesit të Berlinit, dëshiroj që Ballkanin e Hapur ta lë mënjanë. S’dua t’i jap askujt mundësi që të vazhdoj të flasë për konspiracione, paralelizma. S’kam asnjë koment për të bërë për Ballkanin e Hapur. I ka bërë një shërbim të madh këtij rajoni. Është nga të paktat nisma nga 72, që ka marrë vëmendje. Kush nuk ka marrë pjesë në Ballkanin e Hapur ka bërë gabim për veten e vet”, deklaroi Rama.

SHKARKO APP