Rama në stacionin modern të TAP: Burim i sigurt për zhvillimin ekonomik dhe social
Nënshkruhet sot marrëveshja për ndërtimin e Pikës Fillestare Dalëse Shqiptare të gazit. Nga stacioni i Gazësjellësit TransAdriatik, kryeministri Rama tha se ky investim i hap rrugën zhvillimit të infrastrukturës kombëtare të gazit në rajonin jugor.
Sipas kreut të qeverisë, ky është një nga shumë stacionet e një rrugëtimi për ta kthyer Shqipërinë në një eksportues neto të energjisë.
“Sot është një nga shumë stacionet e një rrugëtimi që vazhdon për ta kthyer Shqipërinë në një eksportues neto të energjisë. Në të njëjtën kohë për ta bërë vendin tonë një hapësirë burimesh të ndryshme të larmishme të prodhimit të energjisë duke futur më në fund dhe një komponent tjetër në jetën ekonomike dhe sociale të vendit që ka munguar historikisht, siç është gazi. Është vetëm çështje vullneti, pune durimi dhe këmbëngulje për të përmbushur një vizion që nuk është më një dëshirë dhe aspiratë e mbështetur në një ëndërr por është një horizont i arritshëm mbi baza të vendosura.
Faktikisht edhe procesi i nisur i ndërveprimit për të siguruar një bashkëpunim të qëndrueshëm me një kompani të madhe amerikane, siç është Exon Mobile është një tregues kuptimplotë se TAP-i nuk është thjesht një rrugë kalimi për gazin në anën tjetër të Antlatikut por është burim i një transformimi. Dua të shpreh konsideratën më të lartë për ata që janë përfshirë në këtë projekt fantastik dhe për ata që janë shqiptarë të përfshirë në këtë projekt, duke filluar që nga drejtuesi dhe të gjithë të tjerët e ekpit të specialistëve sepse përbëjnë një vlerë të shtuar në kapitalin njerëzor të këtij vendi”,– tha Rama.
Gjithashtu bëhet e ditur se po vazhon puna për projektin e detajuar për tubacionin Fier – Vlorë, i cili do të lidhë gazsjellësin me TEC-in e Vlorës e me portën e re hyrëse që do të investohet nga gjiganti Exxon Mobile.