Rama në takimin me emigrantët foli për çështjet e nxehta që ekzistojnë me Greqinë
Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës para emigrantëve shqiptarë në Athinë u ndal indirekt edhe tek Çamët. Ai tha se emigrantët shqiptarë u përballën në fund të shekullit të shkuar me operacionet fshesa njësoj si paraardhësit e tyre në veri të Greqisë.
“U përballët me gjithëfarë shprehjesh brutale të arrogancës së fqinjit të pasur ndaj komshiut të varfër. Përjetuat poshtërimin e fshesave të zeza të fundshekullit ’20 kur iu shkulnin nga shtëpinë me rrobat e trupit nëpër natë për t’u deportuar në Shqipëri si në një film të ri të një kohe shumë të vjetër të shpërnguljeve me përdhunë të paraardhësve tanë nga shtëpitë e tyre në veri të Greqisë”, tha ai.
Nga Athina, kryeministri Rama i dërgoi gjithashtu një mesazh Greqisë, duke i thënë se Shqipëria nuk ka asnjë pretendim tjetër, përveç respektit reciprok. Duke vënë theksin te çështja e shumëdiskutuar, ajo e pronave, ai gjatë fjalës së tij tha:
“Nëse flasim për pronat, këtu ju jeni përfaqësia kombëtare e Shqipërisë. E kush nga ju që ka një shtëpi apo një tokë në ato zona ku ende nuk është bërë shpërndarja e titujve të pronësisë mund të thotë të kundërtën, që ky është problem i Shqipërisë”, tha kryeministri.
Në vijim Rama thaksoi” Ata kanë halle kanë probleme, grekët e Shqipërisë, duhet të bëjmë ende më shumë për ta, por e vërteta më e madhe jashtë fushës së vogël të lojërave politike me topin katror ballkanikë është se asnjë hall apo problem i tyre nuk është i ndryshëm nga problemet e shqiptarëve, në një vend si i yni që përparon përditë, por kur plagët e trashëgimisë negative të së shkuarës së afërt dhe të largët nuk janë ende plotësisht të mbyllura, në asnjë rast një grek etnik nuk ka pasur asnjë hall apo problem për shkak të kombësisë së tij, kurrë, asnjëherë grekëve etnikë nuk u është mohuar nga shteti shqiptar e drejta e tyre e besimit, e gjuhës apo pronës. Shqipëria nuk ka asnjë pretendim tjetër veç respektit reciprok, kujdesit reciprok që jetojnë në dy shtet tona, marrëdhënieve reciproke të miqësisë dhe fqinjësisë së mirë.
“Në vitin 1947 Greqia ratifikon traktatit e paqes me Italinë dhe gjendja e luftës mbaron. Ndërsa me Shqipërinë dekreti i gjendjes së luftës dhe për rrjedhoja pasojat e këtij ligji mbeten në fuqi sot e gjithë ditën. Megjithëse në vitin 1998 të dyja shtetet kanë miratuar traktatin e miqësisë. Si ka mundësi që dy vende janë bashkë në NATO, kanë nënshkruar traktatin e miqësisë të mos jetë shfuqizuar gjendja e luftës bashkë me pasojat e një ligji lufte të 84 viteve më parë?!”, tha Rama.
“Në këto vite unë dhe qeveria ime jemi përpjekur që ky absurditet të largohet nga tryeza e marrëdhënieve tona. Ashtu sic jemi përpjekur që ti adresojmë sa më drejtë me dialog, me mirëkuptim të gjitha çështjet e mbetura mes vendeve tona. Unë kam bindjen se nëse ka vullnet të mirë të gjitha mosmarrëveshjet zgjidhen pa pritur që të kalojnë edhe 84 vite të tjera”, vijoi kryeministri.
Teksa vleresoi bashkëpunimin me kryeministrin aktual grek, Rama kritikoi te majten greke, sivëllezërit e PS ne Shqiperi, parti e cila eshte ne opozite.
“Tek kryeministri aktual unë kam gjetur bashkëbiseduesen më të hapur në këto 10 vite. Por qasjet dhe opinionet e sivëllezërve tanë të majtë të opozitës greke e kam pasur të vështirë ti kuptoj. Nuk është puna ime të jap mend, as e drejta ime të ndërhyj në punët e tyre, aq më tepër që në Shqipëri kemi një opozitë që bën të njëjtën gjë. Sa herë merret me punët e jashtme të Shqipërisë u fryn burive të nacionalizmit elektoral. Por thjesht do t’u thosha miqësisht se kur kanë ndërmend të përmendin Shqipërisë me siguri do ti ndihmonte edhe një komunikim i drejtpërdrejtë me ne në Tiranë”, tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH

