Rama: Nesër do t’i dërgoj Presidentit propozimin për të dekretuar Sandër Lleshin
I ftuar në emisionin ”Real Story” në Vizion Plus është Kryeministri Edi Rama, i cili ka thënë se nesër do ti dërgojë Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, propozimin për të dekretuar Sandër Lleshin si Ministër të Brendshëm.
Sokol Balla: A e prisnit mosdekretimin e Lleshit?
Rama: Jo fare, as nuk më ka shkuar në mendje.
Sokol Balla: Ka pasur ndonjë teknikalitet pse nuk është dekretuar që jua ka thënë presidenti?
Rama: Presidenti nuk më ka thënë asgjë të tillë. Ai ka një shkarkim nga presidenti që është konsideruar i paligjshëm nga gjykata. Por rikthimin në detyrë të një gjenerali e bën presidenti dhe presidenti i 6 (Nishani), nuk e ka zbatuar vendimin e gjykatës dhe për aq kohë sa nuk është zbatuar gjenerali ka marrë dëmshpërblimin që gjenerali e ka çuar për bamirësi.
Balla: Cila është arsyeja misterioze e presidentit për mosdekretimin?
Rama: Kushtetuta jonë përcakton 12 kompetenca për presidentin. Në këto nuk hyn asnjë kompetencë e presidentit ku presidenti flet me bindje. Presidenti nuk më ka paraqitur arsye që do të konsideroheshin arsye që bien ndesh me kriteret për t’i zgjedhur deputet.
Balla: A ka fashikull për LLeshin nga SHISH?
Edi Rama: Është bërë hulumtimi më i thellë në historinë e republikës tonë parlamentare. Kanë kërkuar për gjeneralin në adresa ku kurrë nuk ka shkuar më parë postieri i presidencës dhe kanë gjetur gjithçka të bardhë.
Sokol Balla: Cila është arsyeja? Nëse është kjo arsyeja, është presidenti qesharak?
Rama: Unë kam thënë që presidenti nuk më dha asnjë arsye. Meqë presidenti përmes shefit të kabinetit dërgoi një sms dhe jemi bërë një katund i madh sms dhe më tha se presidenti është i gatshëm që të vijë të flasë më dyer të mbyllura. Kemi pasur nje diskutim te hapur dhe konstruktiv me Presidentin, në dy pole të kundërta. Unë nuk dua të bëj përcjellje të bisedës që ai i ka bërë me mua dhe që nuk i duhen publikut. Unë nesër do t’i dërgojë presidentit dekretin dhe do ti propozoj dekretimin e Sandër Lleshit si ministër i brendshëm me një letër, relacion shpjegues. Në rastin e negociatave me Greqinë për të arritur në atë marrëveshjen e plotfuqishme, presidenti ka çuar shkresa shumë serioze që e kanë ndihmuar shumë procesin. Në këtë traditë do t’i dërgojmë presidentit një shkresë të detajuar dhe do t’i japim presidentit mundësinë të krijojë bindjen e plotë që të futemi në binarët e kushtetutës.
Ngjarja në Bularat
Kryeministri Edi Rama ka folur edhe për ngjarjen e sotme në Bularat, ku me thirrjet antishqiptare u varros Kacifa. Rama tha se populli grek është popull mik dhe se minoriteti grek është tepër i respektuar por sipas tij si çdo popull ka gomerët e derrat e vet.
”Mendoj që ajo që shihet nga disa si dobësi, është forca e vlera e këtij vendi. Ne nuk jemi një vend ku luftohet me arkëmortet dhe provokatorët e varrimeve, jemi një vend ku ndodhi sot diçka që në vendin fqinj nuk mund të imagjinohet. Unë refuzoj dhe i bëj thirrje të gjithëve të refuzojnë shprehjen “na erdhi greku”. Nuk është ky populli grek, populli grek nuk është armiku ynë, është vend ku shqiptarët kanë gjetur strehë. Por ky popull ka dhe gomerët e derrat e vet. S’ka nevojë për komente të tepërta, është një ngjarje në një fshat që u mor peng nga disa njerëz qesharakë. Lanë shijen e një shfaqje groteske duke përdhosur dhe vetë të vdekurin që medemek respektuan”,-tha Rama.