Rama: Nuk do të ketë rritje çmimi të energjisë për konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla

Kryeministri Edi Rama, në konferencën e fundit me gazetarët për këtë vit, foli ndër të tjera për krizën energjetike, nga e cila mund të goditet edhe vendi ynë.

Rama theksoi se qeveria shqiptare vendosi që të mbrojë konsumatorët familjarë nga rritja e çmimit të energjisë, ndërsa vendet e tjera të rajonit dhe Europës kanë rritur çmimet.

 

“Do të ishte e udhës që të ndaleshim në disa pika kyçe. Nga ta nis, mbase është e udhës që të niset nga një fakt botërisht i njohur, i një krize energjetike globale, që po sfidon të gjitha shtetet dhe i një dallge të tërbuar të çmimeve që së fundmi kanë arritur 450 euro për megavat. Ndërkohë që në të njëjtën periudhë të viteve të mëparshme, kemi lëvizur në një mesatare prej 100 eurosh për megavat, nga 85, 92 deri në 120. Por 450 euro megavat është çmim marramendës. Po të kemi parasysh totalin vjetër kemi lëvizur në një total 50 euro për megavat. Këtë krizë e kam paralajmëruar disa kohë më parë edhe paralajmërimi i komentua si një alarm fals. Nuk duket se ka fund të qartë. Është folur për qershorin, por askush sot nuk mund ta konfirmojë këtë fakt, apo këtë hipotezë. Ndërkohë që vendet rreth e rrotull kanë rritur çmimet për konsumatorin, ne i kemi qëndruar një ideje fikse se do t’u bëhemi mburojë konsumatorëve familjarë dhe biznesit të vogël. Jemi duke përgatitur për ta një skemë lehtësuese”, tha Rama.

SHKARKO APP