Rama: Opozita ka qejf të kundertën e mjaltit….. (M)!

 

Nga Edi Rama.

Sot për bilancin vjetor të reformës në energji dhe të operacionit kundër vjedhjes së energjisë, për të ecur më tutje pas fazës së vendosjes së rendit ligjor në këtë sektor jetik. Tanimë është hedhur një bazë e fortë mbi të cilat ky sektor do të zhvillohet më tej dhe do të bëhet në një kohë të arsyeshme një burim i madh fitimi për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Bashkëlidhur pjese nga fjala e sotme:

Swiss Digital Desktop Reklama

Në shator 2013 gjetëm një sektor të rrënuar; një kompani e marrë fund me 1 miliardë dollarë borxhe të krijuara në vetëm 6 vjet, nga viti 2007 në vitin 2013. Vetëm nga janari në gusht të 2013-s, periudhë e shembjes fatale të shtetit brenda sektorit, kompania u zhyt në plus 270 milionë dollarë borxhe. Ishte koha kur qeveria vendosi ta sulmojë kompaninë me Policinë e Shtetit. Përzuri me dhunë privatizuesit e saj dhe vendosi në krye të kompanisë një militant politik për ta vënë kompaninë në shërbim të zgjedhjeve të qershorit 2013. Kështu u hap në të katër anët, rruga e abuzimeve dhe vjedhjeve masive. 

Swiss Digital Mobile Reklama

Privatizuesit e përzënë kërcënonin shtetin me një arbitrazh ndërkombëtar që siç e tha i dërguari sot, i Komunitetit të Energjisë në Vjenë, rrezikonte ta kthente Shqipërinë në turpin e Europës në këtë sektor.

Gjëja e parë që Fondi Monetar Ndërkombëtar vuri në tavolinë si parakusht për të çelur një program të ri me Shqipërinë, ishte zgjidhja e çështjes me privatizuesit e kompanisë dhe sugjerimi që kjo çështje të zgjidhej me marrëveshje. E njëjta gjë me Bankën Botërore. Kushti i parë për një program të ri financimi, ishte reforma në sektorin energjetik. I dyti reforma e pensioneve. Me radhë pastaj një sërë reformash të tjera. Marrëveshja e arritur – që sot sulmohet në mënyrë të orkestruar por që koha, jo shumë e largët do ta provojë, që është e shtyrë nga frika legjitime e akuzuesve që duhet të përgjigjen në fakt për çfarë i bënë sektorit energjetik, – është një marrëveshje e negociuar në zyrat e Komunitetit të Energjisë në Vjenë, me procedure dhe standarde të plota europiane dhe ndërkombëtare. Pikërisht ajo marrëveshje hodhi bazën që sot ne të kemi kapërcyer rrezikun e kolapsit energjitik dhe financiar. Mbi atë bazë ne kemi rivendosur qysh prej kohësh që nuk mbahen më mend ligjshmërinë në marrëdhëniet mes konsumatorit dhe kompanisë.

Në vetëm një vit, 358.361 konsumatorë familjarë kanë nënshkruar aktmarrëveshje për tu futur në system, pas vitesh të tëra jashtë sistemit, me një lak të padukshëm borxhesh, që akumuloheshin muaj pas muajsh!

200.654 abonentë familjarë kanë përfituar 40 milionë Euro nga 80 % ulje të kamatës. Nuk janë pak as për kompaninë, as për shtetin shqiptar. Por janë para të merituara jo përmes një amnistie si ato që bëheshin më parë dhe që vetëm zgjeronin gropën e borxheve dhe të vjedhjeve, po përmes vendosjes së një marrëdhënieje të re, të drejtë e transparente mes konsumatorëve dhe kompanisë.

Çmimi i energjisë, nuk u rrit, por u ul. E tregojnë faturat që njerëzit kanë në dorë, përkundër gjithë baltës së turpit të atyre që kanë zgjedhur baltën për të bërë politikë, duke sulmuar një reformë jetike që ka për kryefjalë detyrimin ndaj fëmijëve tanë.

E gjetëm kompaninë me 52 % humbje nga vjedhjet e abuzimet dhe me thuajse zero investime. Ndërkohë humbjet në 9 mujorin e parë të 2015-s janë 31 %, ndërsa në shtator 25 %. Një shifër historike që asnjë nga partnerët ndërkombëtare të përfshirë në këtë reformë, nuk e besonte si të arritshme kur ne e parashikonim. Reduktimi i humbjeve ka sjellë që në vend se 53 milionë euro të shkonin për të importuar energji, të shkojnë për të ripërtërirë rrjetin. Njerëzit me të drejtë ankohen për ndërprerje, për cilësi të ulet të energjisë, luhatje tensioni, etj, por njerëzit duhet ta dinë se ne kemi trashëguar një rrjet që në 80 % të tij është i epokës së elektrifikimit. 

Kemi trashëguar një rrjet, ku vetëm gjatë këtij viti po investojmë falë kontributeve të tyre më shumë, se në 6 vite të qeverisë së mëparshme të mbledhura së bashku. Ky është vetëm fillimi, që thotë kështu: Nëse në vitin 2012 kompania kishte 379 milionë dollarë humbje, – një katastrofë kjo, – këtë vit kompania ka 104 milionë dollarë fitim. Ky është një fitim që është investimi i konsumatorëve dhe po u rikthehet të gjithë atyre që paguajnë rregullisht për të shlyer borxhe e për të rritur cilësinë e furnizimit me energji elektrike; pa harruar këtu 150 milionë dollarë të vëna në dispozicion për përmirësimin e rrjetit, që ishin të kushtëzuara me këtë reformë. Te cilave u shtohen edhe 20 milionë eurot e tjera që do të financohen nga Banka Gjermane për Zhvillim.

Po ashtu, u shlyen 100% borxhet e prapambetura ndaj hidrocentraleve private, hidrocentraleve të së famshmes mini-superfuqi energjetike të para qershorit 2013. U sigurua gjithashtu që të mos akumulohen më borxhe të reja.

Është realizuar 90% e punimeve për Unazën e Jugut. Për herë të parë, jugu, pas përfundimit të këtij investimi, do të ketë energji përmes një rrjeti që nuk është ai i elektrifikimit të viteve ’70-të. Po hyjmë në gjysmën e dytë të punimeve për interkonjeksionin me Kosovën. Një projekt strategjik, i bllokuar për arsye të rëndomta korruptive nga ata që me flamurin kombëtar mbështillnin paratë e ikura në drejtim të paditur, që nga Rruga e Kombit e deri te linja e Lidhjes Energjitike dhe që sot u ka mbetur vetëm gishti tregues, për të akuzuar, duke dëshmuar përditë atë shprehjen “bërtet hajduti, kapeni hajdutin”.

Megjithatë ky është vetëm fillimi. Ajo që ne sot shikojmë me shumë më tepër optimizëm se një vit më parë dhe me shumë më tepër bindje po ashtu, është ende e gjitha për t’u realizuar në dy drejtime; Njëri është drejtimi strategjik për ta transformuar Shqipërinë në një aktor rajonal të energjisë, falë edhe bashkëveprimit brenda Komunitetit të Energjisë ku sapo dorezuam presidencën e radhës, me një sukses që u garantua edhe nga Procesi i Berlinit.

Drejtimi tjetër është ai praktik, për t’u siguruar konsumatoreve një shërbim të denjë në çdo aspekt. Godina e re e kompanisë do të jetë një shëmbëlltyrë e respektit tonë për qytetarin dhe e ambicies së kompanisë per t'u rritur bashkë me besimin e konsumatorit të përfshirë në këtë reformë historike. 

Sot, mund ta themi me plot gojën, që në jo shumë vite më pas, kjo kompani do të jetë në gjendje që jo vetëm të jetë një model suksesi në Shqipëri, por edhe të hyjë në tregun ndërkombëtar, siç hyjnë kompani të tilla të suksesshme në vende të tjera, duke bërë bashkime me kompani simotra dhe duke u bërë aktor në tregje te tjera.

Këto janë rezultate që flasin vetë për të gjithë ata që kanë sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar, pra për të gjithë shumicën e madhe të shqiptarëve që nuk shkojnë pas vrimës së vetme të fyellit të opozitës.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?