Rama padit edhe Arben Ristanin, pas Palokës
Kryeministri Edi Rama, pas Edi Palokës, pritet të dorëzojë një padi edhe për Arben Ristanin.
Kjo, për shkak të akuzave të këtij të fundit, se Rama ka lidhje me Emiljano Shullazin.
Kryeministria thotë se kjo është një shpifje e ulët dhe për këtë arsye ka vendosur që ta padosë penalisht sekretarin e Përgjittshëm të PD-së.
“Ndërkohë që zyra juridike e Kryeministrit po përfundon dokumentin e padisë së dyfishtë, penale dhe civile, për Kryetarin e Grupit Parlamentar të PD Edi Paloka, sapo nisi puna për të përgatitur edhe një padi tjetër të dyfishte për Sekretarin e Përgjithshëm të PD, Arben Ristani.
Edhe Arben Ristani do të paditet për të njëjtën shpifje monstruoze përmes të cilës, të dy shpifësit profesioniste tanimë edhe figura të larta zyrtare të PD, synojnë të lidhin në mënyre kriminale botën e krimit me qeverinë e personalisht me Kryeministrin.
Kjo përpjekje e orkestruar për të përdorur krimin kundër qeverisë dhe Kryeministrit, kërkon një hetim serioz penal e po ashtu edhe një gjykim të plotë civil.
Ashtu si lideri i grupit të PD edhe lideri organizativ i saj, duhet të provojnë me patjetër para prokurorëve dhe gjykatës akuzat e tyre.
Shqipëria nuk mundet kurrsesi të ketë një Kryeministër të lidhur në çfarëdo forme qoftë me krimin. Shqiptarët meritojnë transparencë të plotë për gjithçka kanë dëgjuar nga zyrtarët më të lartë të PD.
Kryeministri Edi Rama i siguron që të gjithë se një provë e vetme e kësaj natyre, mjafton që ai të tërhiqet nga detyra e nga politika dhe të vihet në dispozicion të drejtësisë. Por nga ana tjetër, Kryeministri i Shqipërisë është i vendosur të përballet deri në fund me mjetet e ligjit, kundër kësaj politike të rrezikshme që synon kriminalizimin e politikës në sytë e shqiptarëve dhe më keq akoma, synon të përdorë krimin për interesa mjaft të errëta dhe kërcënuese për shoqërinë.
Duke garantuar të gjithë shqiptarët pa dallim, se kjo qeveri po e lufton dhe do ta luftojë krimin e shkeljen e ligjit nga kushdoqoftë, gjithnjë e më fort, Kryeministri i garanton po ashtu shqiptarët se klithmat antikrim të opozitës janë shprehje inkurajuese e faktit se po tronditen themele të forta të bashkëpunimit të vjetër mes politikës e krimit”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
KOHA JONË SONDAZH

