Rama: Paga mesatare 1000 euro për administratën shtetërore, tejkaluam objektivat
Kryeministri Edi Rama në konferencën e fundvitit me gazetarët, tha se shumë shpejt paga mesatare e administratës shtetërore do të shkojë në 1000 euro.
”Ne kemi shkuar përtej objektivit të vendosur që në qershorin e këtij viti pagat të arrinin në nivelin mesatar 900 euro. Jemi në 968 euro dhe tavani i pamendueshëm deri para disa vitesh i 1000 eurove është një shtrirje krahu larg. Kjo ka ardhur si rezultat i rritjes domethënëse të ekonomisë.
Një gjë është të duash të rrisësh pagat e pensionet dhe një gjë tjetër është të mundesh të rrisësh pagat e pensionet. Një gjë është t’i rrisësh duke vazhduar të rrisësh ekonominë dhe një gjë tjetër është t’i rrisësh duke çuar shtetin në drejtim të paditur, duke lënë pas gropa të mëdha që ne gjetëm kur morëm detyrën”,-tha Rama.