Rama: PD ka propozuar kandidatë për sherr

Kryeministri Edi Rama i cilësoi kandidatët e propozuar nga Partia Demokratike për zgjedhjet vendore të 21 Qershorit si kandidatë për sherr. Bashkë me deputeten Monika Kryemadhi, Rama prezantoi kandidatin e Aleancës për Shqipërinë Europiane për Bashkinë e Rrëshenit Ndrec Dedaj, të cilin e vlerësoi për ndershmërinë e tij. “Kush niset të votojë kandidatin e PD duhet të thotë, ku e kanë këta një model që unë ta shoh. Më të mirin e tyre kanë këtë të Tiranës, pyesni në Tiranë cfarë ka bërë ky në 4 vjet? Zero, gjumë me gërhima. Ishte ministër Transporti, për çfarë e mbani mend? 230 milionë euro në drejtim të paditur, dihet ku kanë shkuar pos a pa u kapur po e quajmë të paditur. Kur ishte ministër i Jashtëm i firoi deti me firmën e vet. Si ministër i Brendshëm mos e pyet e mbylli me 4 të vrarë në kurriz. Si kryetar bashkie bëri një gjë: Nuk bëri asgjë. Siç hyri doli kastravec, -thotë populli. Ky është mëi i miri se ka edhe më keq”, u shpreh Rama. Sipas tij, prej 18 muajsh në Rrëshen po fryn era e ndryshimit, duke shtuar se kandidatët e ASHE vijnë në këtë garë elektorale me projekte konkrete për të ndryshuar vendin. “Aleanca jonë që ka në themelin e saj partneritetin strategjik mes dy partive PS-LSI, një forcë e madhe udhëheqëse e këtij transformimi, kemi një vizion të qartë për qytetet e fshatrat, për nevojat e rrugët që duhet tu çelim për të plotësuar nevojat e tyre dhe për t’i kthyer vendbanimet në territore ku asgjë nuk është e pamundur. Një palë tjetër nuk ka asnjë haber se çfarë duhet bërë që komunitetet të jetojnë më mirë. Një kandidat që është kryetar komune, pyeteni a ka bërë ndonjë përpjekje në këto 18 muaj të takohet me mua a me ndonjë ministër, të çojë ndonjë projekt e të kërkojë ndihmë. Asnjë nuk ka bërë asnjë përçapje për të marrë mbështetjen e qeverisë sepse për ata kjo është e pamundur, nga një anë nuk dinë. Kanë bërë projekte pa asnjë lloj haberi të miratuara nga qeveria e shkuar. Tani në këto zgjedhje që familjet duhet të vendosin se ku duhet cuar vota, ata cfarë propozojnë? Propozojnë vetëm sherr. Kandidat për sherr. Merren me politikën e madhe, me qeverinë, me probleme që nuk kanë lidhje me kryetarin e Bashkisë. Ata duan të kenë në çdo bashki dikë që të mos bëjë asnjë punë”, u shpreh kryeministri Edi Rama. Rama tha se brenda 4 viteve cështje e ujit do të jetë e zgjidhur, pasi pas zgjedhjeve, me ndarjen e re territoriale do të fillojë të vihet në zbatim reforma e qeverisë për ujin, ku çdo bashki do të ketë sistemin e vet të ujësjellësit dhe do të ketë përgjegjës kryetarin e bashkisë. Në vijim të takimeve elektorale, Kryeministri Edi Rama prezantoi kandidaten e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” në Klos, Valbona Kola. “Jam i bindur se me vendosjen e Valbonës këtu si kandidate i kemi bërë këtij komuniteti një propozim shumë të mirë, për të zgjedhur një person që ju e njihni, që i ka shërbyer shumë familjeve, por më e rëndësishmja në këtë rast, një person që do të jetë i lidhur drejtpërdrejt me qeverinë në Tiranë dhe të cilën, ne do ta mbështesim për çdo projekt”, iu drejtua Rama qytetarëve të pranishëm. Kreu i qeverisë, duke shprehur keqardhjen “për gjendjen skandaloze” të Klosit, tha se bashkitë që drejtohen nga kryetarët e PS-së dhe të Aleancës për Shqipërinë Europiane kanë një vizon, një program dhe një bashkëpunim të afërt me qeverinë, siç ka një vëmendje shumë të madhe të qeverisë ndaj bashkive. “Më 21 qershor ju keni mundësi që të bëheni pjesë e këtij ndryshimi, keni mundësi që ta bëni bashkinë Klos pjesë të këtij ndryshimi, keni mundësi që me votën tuaj të zgjidhni një kryetare bashkie që do të jetë partnerja, bashkëpunëtorja e qeverisë dhe do të jetë në krye të punëve këtu, duke pasur një marrëdhënie të ngushtë dhe vëmendjen e qeverisë”, u shpreh kryeministri Rama . Duke u ndalur tek bashkitë që drejtohen nga përfaqësues të opozitës, Rama tha se qeveria nuk e ka problem të bashkëpunojë me kryebashkiakët e PD-së, por ata nuk i kanë sjellë për të bashkëpunuar për komunitetin, por i duan vetëm për të pasur në çdo bashki komisarët e SHQUP-it (selia e PD-së), që të bëjnë propagandë e të vazhdojnë konfliktin me qeverinë”.

SHKARKO APP