Rama: Atyre që u mërzitën po ua them prapë, qentë le të lehin…
Kryeministri Edi Rama ishte sot në Korçë në një aktivitet partiak për anëtarësimet e reja në Partinë Socialiste. Gjatë fjalës së tij, Rama shmangu komente direkte për kritikat e Ben Blushit, por përsëriti të njëjtën shprehje që bëri disa ditë më parë.
“Për ata që u mërzitën se pse e shkruajta po ua them edhe me fjalë; Qentë le të lehin karvani ecën përpara”,- tha Rama. Shprehjen në fjalë Rama e përdori në Twitter gjatë procesit të zgjedhjeve në PS në Elbasan, Fier dhe Korçë, kur Ben Blushi kritikoi procesin e parregullt të përzgjedhjes së delegatëve për në kongres.
Ben Blushi tha se kjo shprehje ishte huazuar nga fjalori i Enver Hoxhës. Këtë reagim Rama e vendosi në gojën e ish-kryeministrit Sali Berisha. “Berisha tha se kjo shprehje është e Enver Hoxhës. Unë e kam dëgjuar nga populli dhe po them atë që thotë populli”,- tha Rama.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama tha se arsyeja pse në PS ka sot ka shumë njerëz që duan të anëtarësohen ka të bëjë më reformat që ka bërë në qeverisje. “Partia Socialiste nuk është e përsosur, por është e vetmja që po tregon se di të drejtojë vendin”, – tha Kryeministri Edi Rama.
“Gjynahqarët që na sulmojnë çdo ditë dhe që gjejnë në çdo nismë arsye për të na përbaltur rrudhin buzët edhe përpiqen të thonë se në Shqipëri ka më shumë të papunë se çka dy vite e gjysmë më parë. Fakti është se në Shqipëri ka 630 mijë njerëz që nuk punojnë në të zezë. Nuk kemi bërë asnjë çudi, por kemi bërë diçka që të tjerët nuk e bënë për 20 e kusur vjet”,- tha Edi Rama.
KOHA JONË SONDAZH

