Rama për incidentin në Kuvend, në seancën e betimit të Avokatit të Popullit: Opozita iu rikthye vesit që del me shpirtin

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se opozita iu rikthye vesit që del me shpirtin gjatë seancës së betimit të Avokatit të Popullit.

Në nisje të podkastit “Flasim – episodi 11, sezoni 5”, Rama duke folur për incidentet në seancën e Kuvendit gjatë betimit të Avokatit të Popullit vuri në dukje se “opozita iu rikthye vesit që del me shpirtin, rivuri në punë muskulaturën e krahëkëmbëve, rindezi pishtarët e ecjes qorrazi nëpër pyll dhe rifilloi avazin e kërcënimeve për llogari të një dordoleci thuajse 100-vjeçar”.

Pra, theksoi Rama, “e mbështetën Endri Shabanin, i dhanë firmat e kërkuara nga ligji, e sollën në buqetën e tyre të kandidatëve, ku për hir të së vërtetës, ky zotëria ishte i vetmi me një sy mes ca qorrave të ububushëm dhe sapo panë që ne, – që thamë që në krye të herës, nuk do të mbështesim asnjë kandidaturë, por do presim që të mbështesim një nga kandidaturat që do të na sjellë opozita – do ta mbështesnim zotin Shabani, u hodhën përpjetë sikur po bënim avokat të popullit ndonjë kandidatin tonë”.

“Qesharak deri në fund domethënë, po përveçse qesharakë edhe të lodhur deri në fund nga mendja, që nuk ua nxjerr e nuk ua nxjerr mësimin se me pahir e me budallallëk, mua dhe kësaj shumice popullore që quhet Partia Socialiste e Shqipërisë, jo ata, po askush në këtë vend nuk na imponon dot asgjë”, tha Rama.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kryeministri theksoi se, pahiri dhe budallallëku janë një gjuhë që mazhoranca nuk e kupton.
“Endri Shabani ka thënë shumë gjëra kundër nesh e kundër meje personalisht sa të duash, por ne e zgjodhëm si kandidat të opozitës, duke respektuar parimin e ndjekur edhe më parë, pavarësisht se këtë herë i kishim edhe mbi 84 votat e nevojshme e po të ishim ata që nuk jemi, por që ata thonë se ne jemi, mund të zgjidhnim kë të donim, por nuk e bëmë”, tha Rama.

Swiss Digital Mobile Reklama

Kurse ata që u bënë pishman, vijoi kreu i qeverisë, “mend për herë tjetër”. ATSH

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?