Rama për përgjimet e antimafias: Janë mafiozë delirantë. Media po njollos Shqipërinë. PS-së i merrni të keqen
Kryeministri Edi Rama ka thyer heshtjen për skandalin e përgjimeve të antimafias italiane ku rezultojnë të përfshirë dhe politikanë shqiptarë. Kryeministri hodhi poshtë çdo lidhje të institucioneve të qeverisë së tij me mafian dhe i cilësoi mafiozët që flasin për pazare si delirantë.
Kryeministri tha se publikimi i përgjimeve të mafiozëve nga media është një akt që njollos Shqipërinë. Sipas tij, konkluzionet e prokurorisë italiane arrijnë në përfundimin se grupi mafioz nuk ka arritur të ngrejë asnjë aktivitet në Shqipëri.
Kryeministri sulmoi dhe opozitën, e cila sipas tij, po bazohet në disa përgjime që nuk tregojnë për përfshirjen e qeverisë.
Pas opozitës, kryeministri sulmoi median. Rama tha se gazetarët nuk dinë të bëjnë investigime dhe nuk tregojnë asnjë fakt që të dëshmojë afera dhe skandale të qeverisë. Përballë skandaleve të mafies që ende nuk janë hetuar, kryeministri solli si shembullin më të lartë të luftës kundër korrupsionit dhe krimit arrestimin e një sanitarje që u merrte lekë të afërmeve të pacientëve.
“Ca është kjo histori shtrirë në kolltuqe, merr ca llafe atje dhe bam e bum e bum e bam. Kush merret me mafien globale i shërben mafies, pa dashje, por me vetëdije e përdor mafien, krimin për luftë politike apo për përfitime të natyrave të ndryshme duke përdorur influencën mediatike. Një sanitare në nivelin më të ulët të administratës e morën e gozhduan me prova dhe sot është në burg, ai është shërbim ndaj vendit. A jeni të sigurtë që nuk paguhet 20% ca pyetje është kjo si mund të ndërtohet kështu biseda? Është njësoj sikur t’ju them unë a jeni e sigurt që lojtarët e fatit nuk bëjnë linjën editoriale të tv tuaja? PS i merrni të keqen ju që të gjithë që të jemi të qartë, dakord”,- deklaroi kreu i qeverisë.
Kryeministri mohoi çdo lidhje të përgjimeve të antimafias me qeverisjen e tij me një mbrojte nervoze që të kujtonte deklaratat e para kur dolën përgjimet për ish-ministrin Saimir Tahiri.
Përgjimet në Itali çuan në arrestimin e një grupi prej 50 personazh, me të cilëve biznesmenë dhe politikanë. Llogaritet se grupi mafioz kishte arritur të pastronte para dhe të përfitonte nga sistemi i ngritjes së bizneseve fiktive dhe kontratave me institucionet shtetërore italiane rreth 250 milionë euro.