Rama për sigurinë në shkolla: Do vendosim kamera inteligjente në klasa, gati për 20 muaj
Kryeministri Edi Rama, në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së qeverisë, është shprehur se qeveria shqiptare është duke punuar për ngritjen e një sistemi të ri dixhital për kontrollin e shkollave dhe klasave në vend me kamera inteligjente.
Rama u shpreh se po bashkëpunojnë me qeverinë e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe se synohet që plani të jetë gati brenda 20 mujash.
“Siç e kam lajmëruar në fillim të vitit shkollor, kemi adresuar temën e sigurisë në shkollë. Jemi duke punuar për një sistem të ri dixhital të kontrollit të shkollave dhe çdo klase me kamera inteligjente të rrugëve kombëtare dhe të qyteteve. Po punojmë prej një viti me këtë projekt me Emiratet e Bashkuara Arabe, ku ky sistem është realizuar me sukses në aspektin e rritjes së sigurisë në përgjithësi dhe me rezultate mbresëlënëse në rritjen e sigurisë dhe uljen e bullizmit në shkolla.
Kemi dakordësuar dhe volumin e financimit, dhe së shpejti, do ta prezantojmë publikisht dhe do të nisim punët për zbatimin që synojmë të përmbyllim plotësisht në 20 muaj ndërkohë që hap pas hapi fillojmë pajisjen me këtë sistem. Prej vitesh kemi ndaluar hyrjen e celularëve nëpër shkolla, por është koha për të rishikuar sanksionet për shkeljen e këtij rregulli”, tha Rama.