Rama: PS nuk ka tradhtuar interesat kombëtare, Shkodra rrëzoi teorinë e bastioneve politike
Në takimin e fundit të ”Turit të Mirënjohjes” në Berat, ku PS-ja fitoi 5 nga 5 bashki që ka qarku, kryeministri Edi Rama kërkon nga kryebashkiakët e rinj të mos i marrin për të mirëqena bastionet e tyre. Rasti i Shkodrës është ai që për kryesocialistin rrëzon teorinë e bastioneve tradicionale.
“Ka ndryshuar diçka shumë e rëndësishme më 14 Maj. Ajo hartë që kemi para syve është një hartë që tregon se njerëzit kanë filluar të mendojnë sipas interesit të drejtpërdrejtë dhe jo vetëm të shikojnë sipas ngjyrës së fanelës së forcave politike”,-tha Rama.
Nga ana tjetër, Rama ”zbuloi” edhe suksesin e 8 nga 9 palë zgjedhje që ka fituar Partia Socialiste, qëkur ai ka marrë drejtimin në 2005.
“Është sepse ne sapo kanë mbaruar një palë zgjedhje kemi filluar të mendojmë për zgjedhjet e tjera duke mos e konsideruar asnjë fitore një arsye për të fjetur mbi dafina dhe për të vazhduar përpara duke i parë të tjerët nga lart poshtë”,-tha Rama.