Rama: Reforma në drejtësi lëvizje tektonike në themelin e shtetit shqiptar, meritë vetëm e PS-së

Kryeministri, një herësh kreu i PS, Edi Rama gjatë takimit me kandidatët për deputetë në Qarkun e Vlorës u ndal sërish te reforma në drejtësi.
Kreu i Ekzekutivit nënvizoi se pa vullnetin dhe vizionin e PS-së kjo reformë nuk do të realizohej dhe se është merite po e kësaj force politike.
Ai theksoi se “nëse dikush mendon që liria individuale në Shqipëri mund të garantohet një herë e mirë dhe të mos kërcënohet nga askush dhe nga asgjë vetëm nëqoftëse Shqipëria hyn në familjen europiane dhe nëqoftëse ky popull bashkohet me të gjithë popujt e tjerë të BE nën ombrellën e BE ku bëhet e pamundur për këdo qoftë që udhëheq këtu që të devijojë rrugën e popullit shqiptar duke cenuar dhe kërcënuar lirinë individuale”.
“Nuk mund të kompleksohemi ne nga disa injorantë. Dhe burime diabolizmi në politikën dhe në median shqiptare që çfarë po ndodh me luftën kundër korrupsionit të na e kthejë ne si arsye që ne të ndjehemi fajtorë. Përkundrazi, unë jam krenar dhe duhet të jemi krenar për atë që po ndodh si lëvizje tektonike në themelin e shtetit shqiptar. Përtej të gjitha boshllëqeve dhe të metave dhe lajthitjeve që mund të ketë në procesin e zhvillimit të kësaj lufte nga ana e institucioneve të reja të drejtësisë”, theksoi Kreu i Ekzekutivit.
Ai shtoi se kjo periudhë do të shihet qartësisht si momenti kur u hodh themeli i një ngrehine që nuk ka ekzistuar më parë në Shqipëri, i barazisë para ligjit.
“Dhe kjo është meritë është vetëm e jona dhe nuk ia japim askujt këtë meritë. Të tërë të tjerët kanë meritën, rolin e tyre, por pa Partinë Socialiste, pa vizionin, pa kokëfortësinë dhe pa këmbënguljen dhe durimin tonë kjo nuk ndodhte. Mjaftonte që ne mos ta kishim këtë shtysë dhe vullnet, nuk kishte Amerikë dhe Evropë që të vihej në lëvizje ky mekanizëm që një prokuror i pavarur të të thërrasë dhe të fillojë të të pyesë. Apo të shkosh përpara një gjykatësi të pavarur dhe të vijë puna dhe të dënohesh”, deklaroi Rama.
Kryeministri vuri në dukje se “këtë barazi para ligjit që ne sot po e synojmë, ju e shikoni shumë qartë sot që flasim përpara një fushate forcat e tjera thonë: në 11 maj na jepni votën, në 12 maj ne do shkrijmë SPAK-un. Domethënë do ta kthejmë historinë nga e para. Dhe kjo sot garantohet prej nesh, nesër edhe këtu brenda nesh, mbas një numri vitesh nuk e dimë sesi do zhvillohen dinamikat kur të jeni ju të rinjtë këtu që do ta keni në dorë këtë punë dhe mund të kthehet mbrapsht çdo gjë”.
Sipas tij, ajo që e bën të pakthyeshme këtë rrugë dhe që adreson dhe ato probleme që sot ne i shohim që janë problem në sjelljen e institucioneve të reja, është vetëm qenia brenda BE.
Vetëm qenia pjesë e asaj familje dhe çdo shqiptar, çdo shqiptare, çdo prind në radhë të parë që është sot në këtë vend duhet ta kuptojë që vota e 11 majit është e lidhur drejtpërdrejtë me garantimin e një rruge që në përfundimin e vet mbyll përfundimisht filmin e lodrave me liritë individuale të shqiptarëve. Skënderbeu kur vuri barrikadën këtu nuk e vuri për të çuar Shqipërinë në BE apo për të mbrojtur BE se s’kishte BE atëherë, por ama e vuri për lirinë dhe duke u bërë pararojë këtu e Europës”, tha Rama.