Rama: Rruga e reformës do jetë e vështirë
Kryeministri Edi Rama shprehet i bindur për përmbylljen e reformës në drejtësi, pasi siç theksoi ai, pas votimit të 21 korrikut këtë reformë nuk e ndal dot asnjë dhe asgjë.
Gjatë fjalës së tij në pritjen e organizuar nga Fatmir Xhafaj në Pallatin e Brigadave, me aktorët e përfshirë në procesin e reformës në drejtësi, shefi i qeverisë argumentoi se rruga e reformës do të jetë e vështirë, pasi çdo hap sipas tij do të jetë një betejë.
“Modestisht besoj se këtu ka fituar Shqipëria. Dua të ndaj me të gjithë një bindje: që rruga e kësaj reforme kaq radikale nuk është më e lehtë tani që kaloi reforma kushtetuese, por do të jetë e vështirë çdo hap, qoftë me 7 ligje urgjente që kanë radhën tani, qoftë me fillimin e zbatimit të tyre dhe me dhjetëra ligje të tjera. Çdo hap do të jetë një betejë. Reformë pa betejë nuk ka dhe një reformë si kjo nuk mund të imagjinohej ndryshe nga ç’hoqëm dhe ç’do heqim akoma”, deklaroi Rama.
Ndërkaq, kryeministri e cilësoi angazhimin e SHBA-ve dhe të BE-së në këtë proces, si rolin e një ëngjëlli mbrojtës për reformën.
“As ekspertët e nivelit të lartë dhe as të Venecias nuk do ia kishin dalë nëse SHBA dhe BE nuk do të kishin bërë si asnjëherë më parë në 25 vite mbështetje për Shqipërinë, nuk do kishin bërë engjëllin mbrojtës së reformës përballë dallgëve mbytëse të të korruptuarve të drejtësisë”, deklaroi Rama.
Duke u kërkuar më tej ndjesë ekspertëve për sulmet politike, kryeministri shprehu mirënjohje për punën e tyre, që siç tha ai, e çuan deri në fund me përkushtim, profesionalizëm dhe integritet të padiskutueshëm.
“U etiketuan që në fillim djallëzisht si ekspertë të PS-së, ndërkohë që asnjëri prej tyre nuk e ka kapërcyer pragun e Partisë Socialiste. Për mua do të ishte arsye për t’u krenuar që ekspertë të një niveli të tillë të ishin ekspertë të PS-së. Si kryeministër unë u kërkoj ndjesë për sulmet e vazhdueshme të barbarisë politike ndaj tyre. Mirënjohje për ndihmën e vyer ekspertëve të Komisionit të Venecias”, deklaroi Rama.
KOHA JONË SONDAZH

