Rama: Shqipëria është kthyer në destinacion turistik, aeroporti i stërmbushur me fluturime
Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria është kthyer në një destinacion turistik dhe se reformat mundësuan ndër të tjera edhe rritjen domethënëse të pagave.
“Na duhet të gjejmë me çdo kusht rrugë dhe mënyra që të bashkojmë sa më shumë energji. Partia Socialiste sot është në kushtet kur mund dhe duhet të shërbejë si një burim energjie për tej kufijve të saj dhe përtej kufijve të zgjedhësve të saj për të krijuar komunitet, një komunitet njerëzish të bashkuar në disa vlera dhe në disa qëllime, në vlera të thjeshta, në qëllime të thjeshta, por njerëz që po njësoj pavarësisht se çfarë i thonë vetes, të majtë të djathtë apo ku di unë, duan që të jenë krenarë për këtë vend, të jenë krenarë për vendlindjen e tyre jo vetëm për historinë, jo vetëm për traditën, jo vetëm për kulturën, artin që kanë prodhuar të tjerët, por të jenë krenarë për atë që vendi i tyre është sot”, tha Rama.
Nga ana tjetër, kreu i qeverisë pohon se në shumë gjëra ja kemi dalë dhe se ka ende plot gjëra të tjera që duhet punuar më fort. Kryeministri u shpreh edhe se falë reformave u mundësua edhe rritja e pagave, proces që nuk do të ndalet.
“Është koha që të fillojë dhe ka filluar që në këtë kthesë gjithë këto reforma, gjithë këto përpjekje, gjithë këto mundime dhe edhe rrëzimet dhe dështimet, kjo koha e kaluar ka filluar të japë rezultat që me rritjen e pagave, e cila do vazhdojë e do vazhdojë dhe patjetër dhe me rritjen e të ardhurave nga ekonomia”,-tha Rama.