Rama ”sulmon” Putinin në Këshillin e Europës: Një tiran i dëshpëruar, luan me vdekjen
Në fjalimin e mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Europës, kryeministri Edi Rama i dha hapësirë edhe presidentit rus, Vladimir Putin.
Rama e quan një tiran që luan me vdekjen. Po ashtu kreu i qeverisë theksoi edhe një herë se paralelet mes Kosovës e Krimesë që Putin bën vazhdimisht, nuk kanë asnjë bazë.
“Nuk ka asnjë paralele mes Kosovës e Krimesë, por ka mes Kosovës e Ukrainës. Ka një analogji më të fortë, mes Carit që ulet në fronin e Kremlinit të ditëve tona, dhe kasapit që mbante pozicionin e komandantit të përgjithshëm të Serbisë gjatë luftës. Ka dy tiranë të dëshpëruar, një i vdekur e tjetri që luan me vdekjen”, tha Rama.