Rama takim me drejtuesit rajonal: Mësimi me 3 turne dhe 20 nxënës në klasa

Më 14 shtator nis viti i ri shkollor dhe nxënësit do të kthehen në klasa me masa të rrepta. Kryeministri Edi Rama, në një takim online me drejtuesit e Drejtorive Rajonale dhe zyrave arsimore vendore, teksa tha se ky është viti më i vështirë për arsimin, zbuloi se mësimi do të zhvillohet në 1997 shkolla me nga një turn, në 472 të tjera me 2 turne dhe 183 shkolla do të kenë nga tre nënturne. ”Për shkollat me numër të madh nxënësish, patjetër që mësimi do të zhvillohet me turne dhe orët 30-minutëshe. Asnjë klasë nuk duhet të ketë më shumë se 20 nxënës”.

Rama shtoi se çdo shkollë do të ketë edhe një person nga sistemi i shëndetit publik. Kryeministri bëri me dije se mbajtja e shkollave të mbyllur, nuk ka qenë një opsion nga ana e qeverisë. Ai tha se është e pritshme që numri i të infektuarve do të rritjet, nisur nga eksperienca e vendeve të tjera, por e gjitha varet nga mënyra se si do të respektohen masat.

”Numrat vetëvetiu do të rriten, këtë e dimë nga praktikat ndërkombëtare dhe analiza e arsyeshme e faktorëve që nxisin rritjen e numrave, një hapje e madhe brenda gjithë hapësirë tani më të hapur të Shqipërisë, që do të shtojnë numrat, por ka rritje e rritje dhe mbi të gjitha ka rritje që vjen si rezultat i mungesës së bërjes së të gjitha yzmeteve të nevojshme që është një rritje katastrofike, ka dhe një rritje objektive që vjen si rezultat i një përballje të përditshme me këtë armik të padukshëm. Ne duam të dytën, shkollën nuk e rrethojmë dot me mure të atilla që të mos lejojë hyrjen e virusit, por nga mënyra se si do të bëhet puna, do të varet shumë pjesa tjetër, rezultati dhe rezultati nuk është një notë, por është shëndeti i fëmijëve. Mbajtja mbyllur e shkollave nuk ishte opsion dhe këtë na e thotë eksperienca e të gjitha vendeve”.

Për më tepër, Rama shtoi se çdo shkollë do të ketë edhe një person nga sistemi i shëndetit publik. ”Të gjitha institucionet që po marrin masat për nisjen e vitit të ri shkollor janë në një sfidë të jashtëzakonshme jo thjesht për të nisur, por për të vazhduar dhe mbaruar një vit shkollor shumë më të vështirë se gjithë të tjerët. Prandaj, pas trajnimit të vazhdueshëm, pajisjen me bazën materiale të nevojshme (detergjentë, doreza, maska etj.), do të ketë edhe një person nga sistemi i shëndetit publik pranë shkollës. Këta persona duhet të jenë kontakti i përditshëm për shkollat. Duhet këmbim informacioni dhe mbështetje për ta”.

Pjesë nga deklarata

Është sfida më e madhe për t’u kapërcyer në këtë vit shkollor, duke pasur parasysh se çfarë rëndësie madhore ka shëndeti i të gjithëve dhe duke pasur parasysh që fëmijët nuk janë të imunizuar plotësisht nga ky virus dhe pavarësisht faktit që marrja e virusit nga ata është më pak e rrezikshme, sesa për më të mëdhenjtë, zinxhiri i transmetimit nuk ndërpritet aty. MAS ka kryer një punë të thelluar dhe ka vënë në dispozicion një udhëzues goxha të detajuar për fillimin e vitit shkollor, por përtej çfarë është studiuar dhe analizuar me shumë përgjegjësi, suksesi në zbatimin e tij lidhet me dyfishimin e energjive që ju dhe të gjithë skuadrat tuaja së bashku me drejtuesit e shkollave dhe mësuesit, duhet të vini në dispozicion të këtij viti.

Duhet ta bëni natën ditë, pa u lodhur dhe të jeni në krye të detyrës në terren për të ndjekur me rogorozitet zbatimin e udhëzuesit nga gërma e parë në gërmën e fundit dhe këtu nuk është më çështja për të kryer një detyrë shtetërore, por për të qenë në këtë detyrë shtetërore në lartësinë e një humanizmi të spikatur dhe për të qenë shembull dhe burim kurajoje dhe burim energjie e besimi për të gjithë njerëzit e sistemit arsimor, që nga drejtuesit e shkollave deri te të gjithë mësuesit, përfshirë edhe prindërit. Kjo do të thotë që udhëzuesin jo vetëm duhet ta mbani mirë parasysh në çdo paragraf të tij, por duhet ta mishëroni ju të parët.

Funksionimi i shkollës, do të jetë ndryshe nga vitet e tjera dhe do të funksinojnë deri në 3 turne. 1997 shkolla kanë 1 turn, 472 me 2 turne, 183 shkolla kanë tre nënturne. Në klasa në mënyrë absolute duhen respektuar rezultat dhe nuk duhet të ketë më shumë se 20 nxënës. Për ato me mësim të kombinuar klasat do zhvillohen një herë në ambient dhe një herë online dhe do të vlerësohen vetëm në shkollë. Shtohen detergjenët, maskat, termometrët do të ketë edhe një person të dedikuar nga sistemi i shëndetit publik pranë shkollës. Personat e dedikuar duhet të jenë kontakti juaj i përditshëm, jo për t’i pyetur formalisht, as për t’i shtuar presionin normal të kësaj pune, por për t’i inkurajuar dhe për t’iu gjendur pranë.

SHKARKO APP