Rama i jep këshilla Benet Becit: Do kesh presion të madh! Por të mbajmë premtimet
Siç kishte paralajmëruar, kryeministri Edi Rama ka nisur vizitën në Shkodër, në kuadër të turit të falënderimeve. I shoqëruar nga kryetari i ri i Shkodrës, Benet Beci dhe Elisa Spiropali, shefi i qeverisë është ndalur te muzeu i krimeve të komunizmit.
Më pas Rama ka zhvilluar edhe një takim me grupin e këshilltarëve socialistë të zgjedhur më 14 Maj, teksa i dha disa këshilla kryetarit të ri të Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci.
“Do kesh presion të madh, që nga udhëheqja, duhet ta mbash presionin. Të bësh një bashki për qytetarët e Shkodrës, nëse do të të nderojnë dhe respektojnë dhe të të mbështesin siç të mbështetën, se të përsërisësh fitoren është e vështirë, se një herë mund të fitosh. Pritshmëria është shumë e madhe, s’do të të falin”, tha Rama.
Nga ana tjetër, Beci tha se kjo detyrë është një përgjegjësi shumë e madhe që do shpërblehet me punë. “Është sfidë dhe përgjegjësi e madhe”, u shpreh kryebashkiaku.
“SHKODËR – Vizitë në “Vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës”, ku do të bëjmë një transformim rrënjësor, për ta kthyer nga një hapësirë pa jetë, në një muze mbresëlënës të tragjedisë së persekutimit komunist, destinacion kyç të Shkodrës historike, jo vetëm për vizitorët e për turistët, po edhe për nxënësit shqiptarë kudo jetojnë”- shkruan Rama në facebook.