Rama takim me kreun e PPE-ve, Balla: Kemi realizuar të gjitha kërkesat e opozitës

Në takim u ndanë disa vlerësime lidhur me përmbushjen e kërkesave të paraqitura nga Partia Demokratike si kushte për vazhdimësinë e bojkotit.

Nënkryetari i grupit të PS njëherësh dhe nënkryetar i Komisionit të Integrimit në Kuvend, Taulant Balla në një fjalë të mbajtur për mediat pas takimit, bëri me dije se Weber u njoh me faktin se prej javësh, tashmë, është miratuar në Kuvendin e Shqipërisë ngritja e dy komisioneve hetimore, ndërsa shtoi se pritet që opozita të marrë drejtimin sikurse i takon përmes ligjit të komisioneve hetimore dhe të zërë vendet në këto komisione hetimore.

“E informuam, gjithashtu, për sa i përket çështjes së hapësirës që i jepet opozitës në Parlamentin e Shqipërisë. Kemi bërë një ndryshim në Rregulloren e Kuvendit ku tashmë opozita mund të flasë sa herë të dojë dhe kur të dojë. Ndamë të njëjtin qëndrim me kryetarin Weber që të ruajmë një kanal komunikimi të përhershëm me opozitën, pasi ne duam që e njëjta frymë komunikimi që ekziston këtu, në Parlamentin Europian, ndërmjet grupit S&D dhe grupit të Partive Popullore Europiane të ekzistojë në Shqipëri, sepse duam që bashkëpunimi me opozitën, për sa i përket marrëdhënieve me Parlamentin Europian, marrëdhënieve me Komisionin ta kemi të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm”, u shpreh Balla.

Kurse mbi një marrëveshje të mundshme mes mazhorancës dhe opozitës, ai shtoi se “fakti që nga Manfred Ëeber që është kryetari i PPE-së, u pranua që të gjitha kërkesat e opozitës janë realizuar, mbetet në vlerësimin e vetë Partisë Demokratike që në funksion të tyre të ushtrojë rolin e vetë kushtetues në Kuvendin e Shqipërisë”.

“Opozita ka shtruar si shqetësim të vetin incidentin e ndodhur në Kuvendin e Shqipërisë në 10 korrik 2014. E informuam zotin Ëeber se për këtë rast ne kemi nxitur institucionet e drejtësisë të bëjnë detyrën e tyre. Informuam për procedurat e ndjekura dhe për stadin e hetimeve dhe të procedimit gjyqësor. Sikurse, ne e kemi thënë që prej ditës së parë që dënojmë çdo formë dhune në Kuvendin e Shqipërisë. Për sa i përket çështjes së dekriminalizimit, të paktën, Partia Socialiste këtu është forca e vetme politike që përpara se depoziton listën e kandidatëve, për secilin prej kandidatëve i kërkon një lloj deklarimi që vjen nga institucionet e Prokurorisë dhe të Ministrisë së Drejtësisë për të vërtetuar nëse më parë kanë pasur përshkrime kriminale në veprimtarinë e tyre. Këtë gjë ne e kemi bërë prej ditës tonë të parë dhe jemi të qetë për sa i përket pastërtisë së figurës së atyre që kandidojnë në emër të Partisë Socialiste”, tha gjithashtu Balla.

SHKARKO APP