Rama takim me të rinjtë: Hapim shkollë të re teknologjie te Piramida, e inaugurojmë me Presidentin Macron
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me të rinjtë të angazhuar në fushën e teknologjisë dhe inovacionit. Rama tha se deri më tani janë 340 laboratorë në shkolla, ndërsa tha se synojnë që numrin ta çojnë në 1000.
“Të shohim përtej këtij programi dhe të gjejmë se si të shtojmë numrin e rrugëve për të aksesuar teknologjinë, duke krijuar hap pas hapi një sistem. Kemi sot në funksion Durana Tech Park, një tjetër hapësirë ndryshe nga Piramida por e nevojshme për sistemin. Po ashtu po na jep arsye për të qenë të inkurajuar dhe të frymëzuar që të vazhdojmë më tutje. Kemi programin e shtrirjes së qendrave Tumo jashtë Tiranës.
Kemi sistemin e laboratorëve inteligjentë në shkolla, sot janë 340 shkolla që kanë laboratorë inteligjentë, ku fëmijët që në klasë të parë fillojnë të marrin nocionet e para të teknologjisë dhe kodimit. Plani është që laboratorët inteligjentë të shkojnë 1 mijë, të mbulohen të gjitha shkollat. Ky projekt është i financuar tanimë. Është drejt përfundimit struktura në qendër të Vlorës, për një tjetër hapësirë në funksion të këtij sistemi. Po përpiqemi që të zgjerohemi edhe në disa qytete të tjera paralelisht dhe pa dubluar Tumon”, tha Rama.
Kryeministri theksoi gjithashtu se së shpejti do të hapë së bashku me presidentin francez Emmanuel Macron edhe një shkollë teknologjike te Piramida. Sipas tij, kjo shkollë do të shërbejë për grupmosha të ndryshme, teksa shtoi se një “40, 45 apo 45-vjeçar të mos shihet si një dinozaur kur i afrohet sistemit të teknologjisë”.
KOHA JONË SONDAZH

