Rama takohet për dreka me Mitsotakis, Greqia nis diskutimin në parlament për zgjerimin me 12 milje në ujërat territoriale shqiptare

Vetëm disa orë pasi është larguar kryeministri Edi Rama nga Athina, ku u takua për drekë me kryeministrin Mitsotakis, është depozituar në parlamentin grek projektligji i Ministrisë së Jashtme për zgjerimin e ujërave detare në detin Jon.

 

Ka shkuar në parlamentin grek projektligji për zgjerimin e Jonit me 12 milje. Datat e shqyrtimit, sipas programit të publikuar janë: më 12 janar diskutimi i parë në komisionin për çështjet e Jashtme dhe të Mbrojtjes, në 15 ridiskutim nëse shfaqet e nevojshme, dhe në 19 në seancë plenare. Sa i përket përmbajtjes së projektligjit; në nenin e parë përfshihet sfera e zbatimit.

Projektligji i referohet rajonin detar në zonën veriore të Periferisë së ishujve të Jonit deri në Kepin Tenaro, duke bërë të qartë se zona e mësipërme përfshin rreptësisht brigjet tokësore, ishujt dhe daljet e shkëmbinjtë e territorit grek, siç parashikon e Drejta e Detit, neni 121 (10 dhjetor 1982).
Në paragrafin e dytë të nenit të parë përcaktohet vija e matjes së zonës bregdetare, sipas vijës natyrore siç parashikohet në dekretin presidencial. Neni i tretë referohet në zgjerimin e zonës përkatëse me 12 milje.

Në nenin e katërt theksohet se do të lejohet përkohësisht peshkimi nga anijet e BE në zonën nga 6 milje deri në 12 milje. Projektligji mbyllet me nenin 5 ku theksohet se ligji do të hyjë në fuqi pas publikimit në fletoren zyrtare.

Projektligji vjen pas marrëveshjes Greqi-Itali për përcaktimin e zonës detare në Jon. Burime diplomatike bëjnë fjalë për një zgjerim të territorit sovran grek, pas shumë vitesh, në kuadrin e zbatimit të së drejtës ndërkombëtare. Kryetari i Kuvendit grek Tasulas ka kërkuar që çdo deputet të votojë me zë, për të siguruar miratimin e plotë.

SHKARKO APP